2008-08-20 17:15:28

Me Nënë Terezën : “Një ngjarje tepër e trishtuar!”.


(20.08.2008 RV)RealAudioMP3 Fjala ‘varrim’ ka në vetvete një ngarkesë tepër emocionale. Pa besimin në jetën e amshuar, varrimi do të ishte diçka e tmerrshme, e pangushëllueshme. Por edhe me këtë vetëdije, shoqërohet gjithnjë nga dhimbja e thellë për humbjen e njeriut të dashur, të papërsëritshëm, që zhduket nën dhe e nuk e shohim kurrë më. I trishtueshëm, pra, varrimi. Por sa më e trishtueshme është të mos kesh as aq para, sa të varrosësh të vdekurin e dashur e ta shikosh si kalbet mbi dhe… Është “Një ngjarje tepër e trishtuar!”, që i jep sot edhe titullin emisionit tonë të shtatëmbëdhjetë i ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’.

“Jetova një ngjarje tepër të trishtuar, në një vend jashtë Indisë: nëna e një familjeje të madhe, vdiq papritmas, duke lënë pas një grumbull jetimësh pa asnjë mbrojtje.
I shoqi nuk ishte në gjendje të mblidhte as aq para, sa i duheshin për të paguar salikimet dhe shpenzimet e tjera të domosdoshme civile e fetare.
I duheshin veshjet, arkivoli…I duheshin, po nuk i kishte.
Burri i shkretë erdhi duke qarë në shtëpinë tonë.
Motrat e mia dolën menjëherë për të kërkuar lëmoshë derë më derë e, si i mblodhën paratë e nevojshme, ia dorëzuan burrit të mjerë, i cili nuk kishte më as lot.
Kishte shitur gjithçka, por paratë që kishte fituar, nuk i mjaftonin për ta varrosur gruan e vdekur, që mbeti aty, ku dha shpirt, në pritje për t’u varrosur, më shumë se tri ditë.
Ky rast më bën të mendoj thellë për shumë pasoja të tjera.
Shpesh njerëzit tanë nuk martohen, por bashkëjetojnë. E jo sepse e dëshirojnë këtë. Nuk rrinë bashkë pa kurorë thjeshtë sepse kjo u pëlqen, sepse e ndjejnë veten më të lirë nga ato, që shoqëria moderne i quan ‘prangat’ e martesës së rregullt.
Shumica nuk martohen dhe zgjedhin rrugën bashkëjetesës, sepse nuk janë në gjendje të mbledhin paratë që u duhen për dasmë.
Për të njëjtën arsye, më pas, nuk i pagëzojnë as fëmijët…
Por të mos kesh mundësi as ta varrosësh njeriun e dashur, kjo është tepër, tepër e trishtueshme!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.