2008-08-20 17:12:27

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: shenjtëria nuk është luks për pak, por thirrje për çdo të krishterë!


(20.08.2008 RV)RealAudioMP3 Periudha e pushimeve është kohë e përshtatshme edhe për t’i njohur më mirë shenjtorët, për të cilët Kisha u flet çdo ditë besimtarëve. Kjo është edhe ftesa, që Benedikti XVI u bëri sot paradite 4 mijë besimtarëve, mbledhur në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, për të marrë pjesë në audiencën e përgjithshme. Ndërmjet tjerash, Papa i shprehu solidaritetin e tij kombit polak, dëmtuar kohët e fundit nga koha e keqe, që shkaktoi shumë shkatërrime e viktima:
“Çdo ditë – kujtoi Ati i Shenjtë në fillim të katekizmit të sotëm – Kisha na paraqet një ose disa shenjtorë e të lum, që t’u lutemi ose t’u përngjasim. Këtë javë, për shembull, do të kujtojmë disa, shumë të dashur për devocionin popullor. Dje kujtuam Shën Gjonin Eudes i cili, përballë rreptësisë së zhansenistëve - jemi në shekullin XVII – përhapi devocionin e butë, burimin e të cilit e gjeti tek Zemra e Jezusit dhe e Marisë”.
Sot kujtojmë Shën Bernardin e Kiaravales, të cilin Papa Piu VIII e pati quajtur “doktori gojëmjaltë”, sepse ishte tepër i aftë të komentonte tekstet biblike, duke shpjeguar kuptimin që fshihej ndër to. Ky mistik i madh, që dëshironte të jetonte i zhytur në “luginën e ndritshme” të kundrimit, u detyrua të shtegtonte nëpër Evropë për t’i shërbyer Kishës në nevojat e kohës e për të mbrojtur fenë e krishterë. U quajt edhe ‘Doktor marian’, jo sepse shkroi shumë për Zojën e Bekuar, por sepse diti ta vlerësojë rolin e saj themelor në Kishë, duke e paraqitur si model i përkryer i jetës murgare e të çdo forme tjetër të jetës së krishterë”.
Nesër do të përkujtojmë Shën Piun X, që jetoi në një peridhë të trazuar historike. Gjon Pali II, gjatë vizitës në vendlindjen e tij, e kujtoi kështu: ‘Luftoi e vuajti për lirinë e Kishës, e për këtë liri qe gati të flijojë privilegje e nderime, të përballojë keqkuptime e grindje, sepse këtë liri e vlerësonte si garanci të domosdoshme për tërësinë dhe koherencën në fe “ (Mësimet e Gjon Palit II, VIII, 1, 1985, pg.1818).
E premtja e ardhshme do t’i kushtohet Zojës së Bekuar, Mbretëreshë, festë e themeluar nga Shërbëtori i Hyjit, Piu XII, në vitin 1955, të cilën liturgjia e përtërirë e pas Koncilit II të Vatikanit, e vendosi si plotësim të të Ngjiturit të Marisë në Qiell, sepse të dy privilegjet formojnë të njëjtin mister.
Të shtunën, më në fund, do t’i lutemi Shën Rozës nga Lima, shenjtorja e parë e kanonizuar e Kontinentit latinoamerikan, i cili e ka edhe Pajtoren e vet kryesore. Shën Rozës i pëlqente të përsëriste: “Në se njerëzit do ta dinin ç’do të thotë të jetosh në hirin hyjnor, nuk do të kishin frikë nga asnjë vuajtje e do të pësonin me kënaqësi çdo mundim, sepse hiri është fryt i durimit”. Vdiq 31 vjeçare, në vitin 1617, pas një jete të shkurtër, plot me mungesa e vuajtje, në festën e Shën Bartolomeut Apostull, për të cilin kishte devocion të posaçëm, sepse kishte pësuar një martirizim tepër të dhimbshëm – shpjegoi Papa - dhe në vijim kujtoi se ditë për ditë Kisha na jep mundësinë të ecim në shoqëri me shenjtorët. Më pas, duke cituar Hans Urs fon Baltazar, nënvizoi se shenjtorët janë komenti më i rëndësishëm i Ungjillit, zbatim i tij në jetën e përditshme. Prej këndej, përfaqësojnë për ne të gjithë një rrugë reale për t’u takuar me Jezusin. Shkrimtari francez Zhan Giton – vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë – i përshkruan ‘si ngjyrat e spektrit në lidhje me dritën”, sepse secili, me tonalitetet e theksimet e veta, pasqyron dritën e shenjtërisë së Hyjit”. Prandaj ka shumë rëndësi ta kultivosh njohjen dhe devocionin e shenjtorëve, përkrah meditimit të përditshëm të Fjalës së Zotit dhe dashurisë bijnore për Zojën e Bekuar:
“Koha e pushimeve – tha në vijim Papa – është sigurisht kohë e përshtatshme për të marrë në dorë biografinë dhe shkrimet e ndonjë shenjti apo shenjtoreje, por çdo ditë e vitit na jep mundësinë të familjarizohemi me pajtorët tanë qiellor”.
Përvoja e tyre njerëzore e shpirtërore tregon se shenjtëria nuk është luks, nuk është privilegi për pak njerëz, cak që njeriu i zakonshëm nuk mund ta arrijë; ajo, në të vërtetë, është fati i përbashkët i të gjithë njerëzve, të cilët janë të thirrur të jenë bij të Hyjit, thirrje kjo universale e gjithë të pagëzuarve. Shenjtëria u ofrohet të gjithëve; por natyrisht, jo të gjithë shenjtorët janë njëlloj: janë, ashtu siç kujtova më parë, spektër i dritës hyjnore:
“E nuk është e thënë të jetë shenjt i madh, ai që është i pajisur me karizma të jashtëzakonshme. Ka edhe nga ata, emrat e të cilëve i di vetëm Hyji. Shembulli i tyre dëshmon se vetëm kur je në lidhje të ngushtë me Zotin, mbushesh përplot me paqen e tij e me gëzimin e tij e je në gjendje ta përhapësh kudo paqen, shpresën e optimizmin”.
Duke pasur parasysh larminë e karizmave të tyre, Benanos, shkrimtar i madh francez, i mahnitur nga figurat e shenjtorëve – vijoi të kujtonte Papa - paraqet shumë prej tyre në romanet e tij, duke arritur në përfundimin se jeta e çdo shenjti është si lulëzim i ri pranveror. Uroj – tha në përfundim Benedikti XVI, duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve - që edhe ne t’i shikojmë me këtë sy. E ta lemë veten të tërhiqemi nga hiri i tyre i mbinatyrshëm i shenjtërisë! Na e nxjerrtë këtë hir Virgjëra Mari, Mbretëreshë e të gjithë Shenjtorëve, Nënë e Strehë e mëkatnorëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.