40 vjet më parë trupat e Traktatit të Varshavës pushtonin Çekosllovakinë: dëshmia
e kardinalit Vlk.
(20.08.2008 RV)40-vjet më parë,
e ishte nata ndërmjet 20 e 21 gushtit të vitit 1968, trupat sovjetike pushtonin Çekosllovakinë
e asokohshme, duke i dhënë fund të ashtuquajturës ‘Pranvera e Pragës’. U hodhën poshtë,
kështu, instancat reformiste të Aleksandër Dubçekut, udhëheqës komunist i kësaj stine
të ngrohtë, që deshi të vërë në jetë modelin komunist me fytyrë njerëzore. Shpresa
për një ndryshim real karakterizoi thellësisht gjithë këtë periudhë, posaçërisht në
vendet satelite të Bashkmit Sovjetik, që pësonin nën thundrën e komunizmit, i cili
nuk e kishte ndër mend të ndërronte fytyrë. Këtë nënvizon, në mikrofonin e Radio Vatikanit,
kryeipeshkvi i Pragës, kardinali Miroslav Vlk:
Përgjigje: -
Para ’68-tës, Kisha ishte krejtësisht në duart e komunistëve. Pastaj, më 1968, lindën
shpresa të reja. Ipeshkvijtë në verën e ’68-tës u rikthyen në dioqezat e tyre e u
ndje kudo atmosfera e festës së madhe. Kur u hap dalë-nga-dalë, në ’68-tën, kjo epokë
e re, e ndjemë veten vërtetë të lumtur. U shkruam të gjithë ipeshkvijve të kthehen
sa më shpejt në dioqezat e tyre. Dalldia ishte e papërshkrueshme, ndoshta prandaj
nuk e besuam se shpresa do të zgjaste aq pak. Besuam e shpresuam se modeli komunist
edhe mund të reformohej. Harruam se regjimi komunist nuk mund të reformohet kurrë
e në asnjë vend.
Pyetje: - Ç’mbetet
sot nga klithma e fuqishme për liri, që u mbyt nga trupat ruse të Traktatit të Varshavës?
Përgjigje:
- Sivjet po kujtohet shumë përvoja e Pranverës së Pragës. Kujtohet posaçërisht
për rininë. Kujtohet për ata që nuk i jetuan ato vite, për t’u treguar sa i rrezikshëm
është regjimi komunist. Duhet që njerëzit të mos e harrojnë kurrë rrezikun e komunizmit.