2008-08-19 16:11:41

Rubrika 365 ditë:"Polinë Zhariko, gruaja që ndihmoi në themelimin e ‘Shoqatës për përhapjen e fesë”.


(19.08.2008 RV)RealAudioMP3 “Një ditë do të bëhem apostull e do të shkoj në Kinë!”- brohoret Fileas.
“E unë do të vij pas teje”- shton e motra.
“Por një grua nuk di të flasë latinisht, të hipë në kalë e aq më pak në deve”.
“Mjafton të më lidhësh pas vetes me një litar të trashë”, përgjigjet motra e zhgënjyer.
“Për ç’arsye duhet t’i kapërcejmë të dy detet? Unë shkoj atje, e ti rri këtu, për të mbledhur paratë që më duhen e për të m’i dërguar”.
Polinà var hundët. Edhe ky Fileasi: gjithnjë do të marrë pjesën më të mirë!
Po këtë radhë vëllai e siguron:
“Mos i var turinjtë, Polinë: ti do të jesh njëlloj e rëndësishme, si unë. Një misionar i vërtetë ka nevojë për para, që të jetojë, në se dëshiron t’ia kushtojë gjithë kohën punës për kthimin e njerëzve në fenë e Krishtit”.
Polinà tani qetësohet: edhe ajo do të jetë e nevojshme.
Të lindur në një familje të shëndoshë të Lionit, të dy fëmijët kanë marrë edukatë të thellë kristiane. Të dy, shumë besimtarë, vdesin nga dëshira për t’ia dhuruar gjithë jetën Zotit. Por duke u rritur, entuziazmi i tyre zvogëlohet. Polinës nisin t’i pëlqejnë më shumë mbrëmjet e vallëzimit, sesa jeta në një kasolle, mes njerëzve të egër. Por një ditë, predikimi i një meshtari mbi kotësitë e jetës, e prek thellë dhe e bën të mendojë edhe më thellë. Si kthehet në shtëpi, Polinà i flak tutje stolitë dhe veshjet elegante, bën kushtin e pastërtisë e vendos t’ia kushtojë Zotit gjithë jetën. E rasti i parë për t’i shërbyer Hyjit s’vonon.
Në vitin 1818 Fileas, që ka hyrë në seminar, i kërkon së motrës të punojë për të ndihmuar misionarët. Tetëdhjetë e shtatë franga i mjaftojnë një misionari për të jetuar e për të pagëzuar një aradhe kinezësh. Polinà vihet në kërkim të parave. Nis ta ndihmojë një grup punëtoresh, që arrijnë të mbledhin një qindarkë në javë. Por lypen qindra bamirës, sepse për një frang, duhen njëzet qindarka. Atëherë Polinà shpik një sistem origjinal, për të mbledhur të hollat që i duhen të vëllait: çdo dhurues gjen dhjetë miq, që janë gati të japin një qindarkë për kokë. Pastaj secili prej dhjetë të parëve, gjen dhjetë të tjerë. E kështu me radhë. Rrjeti i krijuar nga Polinà shumë shpejt arrin të bëjë një mbledhje të pabesueshme fondesh. Kështu vajza arrin të financojë jo vetëm misionet në Azi, por edhe në Amerikë.
Më 3 maj 1822 lind zyrtarisht “Shoqata për Përhapjen e Fesë”, që njihet me emrin ‘Propaganda Fide’. Është vepër e Polinës, ndonëse ajo do të përjashtohej pak kohë më vonë nga një meshtar i pandershëm. Paolinà vdiq e harruar nga të gjithë në moshën gjashtëdhjetë e tre vjeçe. Ajo, që ëndërronte tokat e misionit, nuk u largua kurrë nga Lioni… Po vepra e së ‘Nderuarës’ Polinà, do të shtegtonte rreth gjithë botës. E sot ekziston në më se njëqind vende.







All the contents on this site are copyrighted ©.