2008-08-19 16:16:16

Me Nënë Terezën: “Një këshillë për politikanët: lutuni!”.


(19.08.2008 RV)RealAudioMP3 Politikanët e të gjitha ngjyrave, të të gjitha feve, të të gjitha kombeve e etnive, rrethohen nga një mori këshilltarësh, që kanë një detyrë të vetme: të japin këshilla. Thua t’i ketë shkuar në mend ndonjërit prej tyre t’u japë politikanëve këshillën, që u jep Nënë Tereza? “Një këshillë për politikanët: lutuni” - titullohet emisioni ynë i gjashtëmbëdhjetë i ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’.

“Vetëm në Kalkutë kemi mbledhur nëpër rrugë më se 57 mijë njerëz.
Vijnë tek ne, i mikpresim, i çojmë në shtëpinë tonë, për t’u siguruar mbrojtjen e një strehe.
E vdesin në paqe, në dritën e Hyjit.
Deri më sot nuk pashë, as nuk takova – unë e as motrat e mia - një burrë a një grua që të mos ketë pranuar t’i kërkojë falje Zotit e të mos ketë thënë: “Zoti im, të dua!”.
Sot një grua, në gjendje të mirë shoqërore, erdhi tek ne për të parë Meshë.
Qante e dëneste vazhdimisht.
Të dukej sikur provonte agoninë e Gjetsemanit.
Ç’ e shqetësonte ashtu shpirtin e saj?
Ishte braktisur nga i shoqi e nga fëmijët.
Të bijtë e kishin harruar fenë e kishin hyrë në rrugë të keqe.
Nuk do të arrijmë kurrë ta kuptojmë plotësisht vuajtjen e tmerrshme të kësaj gruaje, ashtu si nuk arrijmë ta kuptojmë vuajtjen e mijëra familjeve, që pësojnë ditë për ditë agoni të tilla.
Prandaj kemi nevojë për meshtarë të shenjtë që të vijnë – ashtu si pati bërë Engjëlli me Shën Jozefin - të japin shpjegime e ndihmë; që të vijnë e të na thonë se Hyji nuk na ka braktisur akoma, se na do!”.
Një ditë më pas, dikush më pyeti:
‘Ç’këshillë do t’u jepje politikanëve?’.
Unë nuk merrem kurrë me politikë.
Megjithatë, pa menduar thellë, iu përgjigja:
‘Besoj se politikanët kalojnë tepër pak kohë në gjunjë. Mendoj se do të ishin politikanët më të mirë në botë, po të dinin të gjunjëzoheshin”.
Pikërisht për këtë kemi nevojë, kur duhet të marrim vendime që kanë të bëjnë me jetën e të tjerëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.