2008-08-19 16:17:18

Festa e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell në Kosovë


(19.8.2008 RV)Festa e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell në Kosovë u kremtua në Letnicë të Vitisë e Zym të Prizerenit më 14 e 15 gusht; festa e shën Rrokut në Novo Sellë të Gjakovës shtunën më 16 gusht dhe festa e shën Florit e Laurit, martirë të Ulpianës, në Kishën e Grazhdanikut të Prizerenit më 18 gusht. Po mbi të gjitha këto kremtime liturgjike, nga Prishtina na njofton Rabie Ibraj………RealAudioMP3

Në Letnicë, në shenjtëroren më të njohur të Kosovës kushtuar Zojës së Bekuar, edhe sivjet festa e të Ngjiturit të Marisë në Qiell u kremtua me solemnitet të madh. Kësaj radhe mesha u kremtua në altarin e ri, në një ambient shumë më të përshtatshëm e më të gjërë se para. Natën e festës së Zojës meshën e udhëhoqi imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit, ndërsa meshën e ditës së festës ipeshkvi i Kosovës, izmot Dodë Gjergji. Kanë bashkëkremtuar edhe rreth 25 meshtarë, kryesisht të Kosovës, si edhe disa kapelanë ushtarakë të KFOR-it. Kremtimi i festës të të Ngjiturit të Zojës në Qiell përfundoi me procesionin e zakonshëm me truporen e Zojës së Bekuar.


Në kishën e Zymit të Prizerenit, dita e festës së Zojës së Madhe, siç njihet tek shqiptarët e Kosovës festa e të Ngjiturit të Zojës në Qielle më 15 gusht 2008, filloi para meshës solemne të orës 11, me procesionin e besimtarëve që bartnin mbi supe truporen e Zojës së Bekuar rreth oborrit të kishës së Zymit, përcjellë me këngë dhe lutjen e Rruzares së Zojës.
Meshën solemne e kryesoi ipeshkvi i Sapës izmot Lucian Augustini në bashkëkremtim me 8 meshtarë të Kosovës para një numri të madh besimtarësh ardhur nga viset e ndryshme të vendit. Në homelinë e festës ipeshkvi i Sapës izmot Lucian Avgustini theksoi vlerën shpirtërore të kësaj dite për të gjithë besimtarët dhe solli disa kujtime të rëndësishem të jetës së tij meshtarake, e kutjtoi e pikërisht si në këtë ditë, para 19 vjetë më parë (më 15 gusht 1989), mu aty në Zym ipeshkvi i ndjer imzot Nikë Prela pati shuguruar 2 meshtarë të rinj: don Lucianin dhe don Dodë Gjergjin, që të dy tani janë ipeshkvij.
Po edhe shumë më tepër imzot Avgustinit i pati lënë përshtypje lutja profetike e ipeshkvit izmot Nikë Prelës bërë më 15 gusht 1989 për rikthimin e lirisë fetare e qytetare në Shqipëri, çka nuk vonoi dhe u realizua duke filluar me vizitën e parë që e Lumja Nënë Tereza bëri në Shqipëri. Kjo ngjarje i frymëzoi meshtarët e posashuguruar të cilet më vonë tdo të shkojnë me misionion e tyre meshtarak në shërbim të vëllezërve shqiptarë të persekutuar nga regjimi ateist në Shqipëri.
Në vazhdim të homelisë izmot Avgustini vuri në pah dobinë e madhe shpirtërore që ka për familjet shqiptare lutja së bashku e Rruzaren Shenjte të Zojës së Bekuar. Lutja është frymëmarrje e shpritit, përforcim i fesë e frymëzim për vepra të mira.
Në fund të meshës solemne, famullitari i Kishës së Zymit, don Shan Zefi, falënderoi Zotit për këtë ditë të bukur feste, ipeshkvin e Sapës për fjalët frymëzuese e të mira, ndërsa meshtarë dhe tërë popullin për pjesëmarrje aktive në këtë kremtim liturgjik për nder të Nënës Qiellore.


Festa e Shën Rrokut të shtunën më 16 gusht 2008, u kremtua në famullinë kishtare të Novo Sellës afër Gjakovës. Meshën solemne të pajtorit qiellor të kësaj bashkësie kishtare para një numri të madh besimtarësh, e kryesoi don Albert Demaj, famullitar i Binçës, në bashkëkremtim me 15 meshtarë të tjerë. Gjatë honmelisë së festës, don Alberti foli për vlerat e fesë së krishterë në jetën personale e posaçërisht atë familjare që sot është mjaft në krizë. Prandaj, tha predikatari, kemi shumë nevojë për ndihmën e Zotit me ndërmjetësinë e shën Rrokut, për t’i kultivuar vlerat shpirtërore e ato kombëtare që gjithmonë kanë karakterizuar familjen ndër shqiptarë. Vetëm duke e përqendruar shikimin tonë tek figura e Jezu Krishtin, mund të gjejmë burimin e hirit Hyjnor e përforcimin e atyre vlerave që janë të domosdoshme për një familje besimtare e shqiptare.







All the contents on this site are copyrighted ©.