2008-08-19 16:51:20

NATO:mbledhje e jashtëzakonshme në Bruksel mbi krizën në Kaukaz


(19.8.2008 RV)Ministrat e jashtëm të 26 vendeve NATO-s u u takuan sot në Bruksel mbi krizën në Gjeorgji. Tema e mbledhjes ishte përkrahja ndaj Gjeorgjisë dhe Ukrainës, vende këto që presin anëtarësimin në NATO. Pjesëmarrësit qenë dakord që të ashpërsohet gjuha me Moskën, që nuk po respekton planin e paqes me Tbilisin nënshkruar me ndërmjetësimin e presidentit francez Sarkozi. “Marrëdhëniet me Moskën do të ndryshojnë” tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Shefer. Mbledhja vendosi ngritjen e një komisioni NATO-Gjeorgji, por pa shkrirë atë me Rusinë.


Për ministrin e jashtëm italian Franko Fratinin, mbledhja e sotme tregoi unitetin e vendeve europiane dhe joeuropiane pjesëtare të Natos, në tri pika kryesore: e para rindërtimi dhe hapja e një koridori humanitar në Gjeorgji; marëveshja gjashtëpikëshe ndërmjet presidentit rus dhe atij gjeorgjian të zbatohet krejtësisht, dhe së treti respektimi i integritetit tokësor të Gjeorgjisë.
Këshilli i Organizimit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE-ja) me qendër në Vjenë, vendosi për dërgimin e menjëhershëm në Gjeorgji të një ekipi me 20 vëzhguesish ushtarakë. Lajmi u dha nga presidenca e radhës që mbahet nga Finlanda.


“Nuk janë SHBA-ës që duan izolimin e Rusisë, por është Moska ajo që po vetizolohet, duke pushtuar fqinjët e saj të vegjël e duke i bombarduar.” tha për shtypin Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs në mbarim të mbledhjes së sotme të ministrave të jashtëm të vendeve NATO. Gjithashtu Rajs shtoi se në Oseti dhe Abkhazi duhen çuar të tjerë paqëruajtës pasi tashmë Rusia është pjesë e konfliktit.


Ndryshe nga sa u premtua dje nga presidenti Medvedev, ushtarët rus ende nuk kanë filluar tërheqjen nga territori gjeogjian. “Nuk kam parë ndonjë tank apo autoblindë të largohet nga zona e konfliktit” tha një një dëshmitar gjatë rrugës që nga Gjeorgjia të çon në Vladikavkaz. Ndërkaq kryeministri Putin me një dekret të veçantë pezulloi hyrjen në Rusi të të gjithë personave jopjestarë të Bashkësisë së Vendeve të Pavarura.







All the contents on this site are copyrighted ©.