2008-08-18 16:35:08

Vrasje brutale e një rregulltari karmelitan në Indi


(18.08.2008 RV)Sulm i ri tragjik antikatolik në Indi, në shtetin e Andra Pradeshit: natën e 16 gushtit u mbyt mizorisht rregulltari karmelitan Tomas Pandipalil. Sipas agjensisë AziaNjuz meshtari, 38 vjeç, u mbyt në Mosalikunta, në rrugën që lidh Lingampet me Jelaredi. Kufoma kishte një pamje të llahtarshme: me plagë të thella në fytyrë, me duar e këmbë të thyera e me sytë e nxjerrë nga zgavrrat. “Tomasi është martir: flijoi jetën për të varfërit e të flakurit jashtë radhëve të shoqërisë. Por vdekja e tij nuk është e kotë, sepse trupi i tij i sakatosur e gjaku i tij i derdhur në trojet indiane, do ta forcojnë Kishën në Indi e posaçërisht në Andra Pradesh”. Kështu e komentoi imzot Joji, kryeipeshkëv i Hiderabadit e sekretar i Konferencës ipeshkvnore të Andra Pradeshit (Shtet në jug të Indisë), mbytjen mizore të rregulltarit.
Pas kësaj vrasjeje, fryt i atmosferës së intolerancës e të dhunës në rritje, Kisha në Indi është thellësisht e shqetësuar, por njëkohësisht edhe e thirrur ta vijojë impenjimin e saj për zhvillimin e zonave më të varfëra e më të braktisura të vendit. Për këtë është ‘fajtore’ Kisha katolike e për këtë edhe sulmohet, sepse mbron gjithnjë e me të gjitha format e mundshme, viktimat e dhunës, të shtypjes e të shfrytëzimit.
Rregulltari i mbytyr mizorisht punonte në fushën e arsimit e të shndetësisë, ku dha një kontribut vërtetë të shquar për popullsinë më të varfër vendase.







All the contents on this site are copyrighted ©.