Kalendari Kishtar përkujton Shën Florin e Laurin, Martirët e Ulpianës në Kosovë.
(18.08.2008 RV)Kush ishte Flori,
të cilit i kushtohen vepra arti në Rusi e në Kapadokie, në Sicili e në Suedi, për
të cilin flet edhe Tolstoi në veprën e famshme ‘Lufta e paqja”? Pse iu kushtua një
shenjtërore pranë Moskës, ku besimtarët mblidhen sot për ta kujtuar? Pse Flori e Lauri
u shpallën pajtorë të kuajve? E të një fshati në provincën italiane të Katanxaros?
Këto pyetje na lënë të kuptojmë se Flori, së bashku me vëllain e tij binjak, Laurin,
nuk janë vetëm Martirët e Ulpianës në Kosovë, por edhe Shenjtorë shumë të dashur
për të gjitha Kishat lindore. Për ta është shkruar edhe një libër. Titullohet
‘Shenjtorët Flori dhe Lauri’1. Autor është kalabrezi Antonio Bressi, i
cili mblodhi gjithë materialin e mundshëm, duke gërmuar ndër kisha, kuvende e, sidomos,
ndër arkivet e mbarë botës. E ndërmjet materialeve të shfrytëzuara si burime kryesore
për të zbuluar jetën e dy shenjtorëve, mund të përmendim sidomos Sinassarin kostandinopolian
dhe tre recensione të ndryshme të jetës së Menologjit (kujtojmë se Menologji është
një përmbledhje tekstesh liturgjike hagjiografike, që përdoret në Kishën ortodokse.
Përmban pikërisht oficen dhe jetët e shenjtorëve), si dhe dorëshkrimin e Benakit (shek
X), që fillon drejtpërdrejtë me jetën e shenjtorëve. Dorëshkrimet ruhen në Bibliotekën
e Vatikanit: 141 (Shek X); ‘Vat. Gr. 1671 (Shek X) dhe Vat. Gr . 821 (shek XI- XII) I
kujtuam burimet, sepse ndonëse të shfrytëzuara, mund të rishikohen, për të zbuluar
elemente të reja, që pasurojnë njohuritë për Shenjtorët e Ulpianës, duke iu përgjigjur
një mori pyetjesh mbi kronologjinë e jetës së tyre: mbi vendin ku linden, ku u rritën,
ku iu kushtuan misionit e ku u martirizuan. E kjo sepse të dhënat, ardhur nga kohë
të mugëta, janë shumë të diskutueshme. Burim tjetër i çmuar për njohjen më të
thellë të Shenjtorëve, është edhe ikonografia shumë e pasur, që u kushtohet. E
përpjekja për të ditur diçka më shumë, nuk bëhet thjeshtë për të shuar kureshtjen,
por sepse Vëllezërit Martirë mbeten modele të ndritura për popullin e krishterë. Nga
Enciklopedia e Shenjtorëve mësojmë se konsiderohen vëllezër, me mjeshtri gurëgëdhenës,
ose skulptorë, por edhe ndërtues shtëpish, nxënës të Prokulit e të Maksimit, në Bizant. Mësuesit
e tyre, edhe ata të krishterë, pësuan martirizimin nën perandorin Adrian (117-138),
kur dy vëllezërit ikën nga Bizanti, u vendosën në Iliri e u vunë në shërbim të Likonit,
sundimtarit romak të Ulpianës (Prishtina e sotme). Një farë Liçini, bir i perandoreshës
me emrin Elpidia, u kërkoi të ndërtonin një tempull. Vepra u krye me mjeshtri të rrallë.
Madje gjatë ndërtimit ndodhi edhe një mrekulli: të birit të Anastasit, prift pagan,
ndërsa ishte i panishëm në punime, i hyri një cifël guri në sy; dy vëllezërit e
shëruan mrekullisht e arritën edhe ta kthenin në fenë e krishterë, së bashku me të
jatin. Por kur dy shenjtorët panë se në tempullin e sapo ndërtuar po vendoseshin
shtatoret e idhujve paganë, kremtuan më parë një procesion të krishterësh të prirë
nga Kryqi e pastaj organizuan një grup të madh varfanjakësh, të cilëve u shërbenin.
Hynë me ta në tempull e i bënë copë-copë idhujt. U arrestuan të gjithë e u dënuan
pa pikë mëshire. Të varfërit i dogjën të gjallë, ndërsa dy shenjtorët vëllezër, pasi
i hetuan, i hodhën në një pus, ku i varrosën për së gjalli. Nuk ishin të parët
që e dëshmonin kështu Krishtin deri në fund të fundit. Për së gjalli do të groposej
edhe Marcia, martirja e parë e krishterimit në viset ilire; e një fund të tillë do
të pësonin, dymijë vjet më pas, martirët e kohëve moderne, Atë Aleksandër Sirdani
e dom Dedë Çuni. Mizoria e xhelatëve modernë ua kaloi edhe atyre të lashtësisë, sepse
dy martirët i mbaruan ditët tyre tokësore të varrosur për së gjalli në një gropë ujërash
të zeza… 1 Antonio Bressi “I Santi Floro e Lauro”, Grafica C –Napoli,
1998.