2008-08-16 14:03:03

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar


(17.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën XX të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.
U përkujtua edhe Shën Euzebi, papë e martir e Shën Kjara nga Montefalko, abateshë agostiniane.

Të bësh mirë do të thotë të zbatosh urdhërimet e Tënzot. Po Jezusi kërkon nga ne shumë më tepër: a jemi të gatshëm për ta dëgjuar? Këtë na kujton liturgjia të hënën, në festën e Shenjtorëve Flori e Lauri, martirë të Ulpianës në Kosovë, Agapito, martir dhe Elena, perandoreshë.

 
Në festën e Shën Gjonit Eudes, themelues i Eudistëve, Shën Sistit III papë e Shën Manjit, martir, të martën e ardhshme, ftohemi të vijojmë reflektimin mbi thirrjet që na bën Jezusi. Zoti është aq kërkues, sa i tremb edhe vetë nxënësit e tij. Në qoftë se duam të ndërtojmë me Të një botë të re, duhet ta ndjekim pas me besim e guxim.

Të mërkurën do të kremtohen Shën Bernardi, abat e dijetar i Kishës, Shën Samueli profet e Shën Maria Matias, virgjër, themeluese e Motrave Adhuruese të Gjakut të Krishtit. Na kujtojnë se puna për mbretërinë e Hyjit nuk numërohet me orë. I Zoti i vreshtës na bën thirrje çdo ças e pret t’ia kushtojmë vetveten, pa pyetur për kohë as për djersë, të sigurtë se nuk do të na mungojë shpërblimi i drejtë.

Në liturgjinë e së enjtes, në festën e Shën Piut X, papë, Ungjilli na rikujton shembëlltyrën e gostisë, në të cilën nuk mund të hysh, pa veshje të përshtatshme. Veshja që kemi marrë në Pagëzim, është ftesë për të hyrë në festë, por edhe ftesë për të rifilluar rrugën e gjatë të formimit të vazhdueshëm në fe.

Të premten, në festën e Virgjërës Mari, Mbretëreshë, të Shën Timoteut, martir romak e Shën Filip Benicit, meshtar, na rikujtohet rregulla e artë e Jezusit. Pyetja që i drejtojnë saduçejtë, e nxit Zotin t’i përmbledhë gjithë Ligjin e Profetët në fjalët: “Duaje Zotin Hy e duaje edhe të afërmin”.

Shën Roza nga Lima (emër që në shqip ka marrë trajtat Drande e Ganxhe) virgjër terciare dominicane dhe Shenjtorët Abondi, Ireneu, Qiriaku e Arkelau, martirë, që do të festohen të shtunën, na kujtojnë se për të jetuar si i krishterë i vërtetë, duhet të jesh i përvujtë, i patundur në fenë, të cilën e beson dhe e jeton e i lidhur me vëllezërit, sepse bij të të njëjtit Atë.

Të dielën e ardhshme Kisha do të vijojë liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën XXI të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.