2008-08-16 11:28:27

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: 'Mësuesja shenjte, Emilia de Rodà'.


(17.08.2008 RV)Në dhomën ku dergjet e sëmura, janë mbledhur disa fqinje të cilat, paksa larg krevatit, admirojnë gjestet e sigurta të Emilisë. Krejt e pushtuar nga puna, Emilia i dëgjon e çkujdesur llafet e tyre. Por, papritmas, një frazë ia tërheq vëmendjen. Njëra nga fqinjet flet me trishtim për të bijtë, që nuk kanë kurrfarë kulture e nuk mund të shkojnë në shkollë. Tjetra ia përforcon mendimin, duke kujtuar se që kur revolucioni i dëboi orsolinet e Vilefrankes, dyert e shkollës ku jepej mësim falas, kanë mbetur të mbyllura. E pra motrat orsoline ishin të afta, bujare, të mësuara…
Edhe gratë e tjera, të gjitha ish-nxënëse të orsolineve, janë të një mendimi. Nuk e harrojnë kurrë ç’ fituan nga këto motra.
Fjalët e tyre nuk shkojnë kot. Jemi në maj të vitit 1815 e, më në fund, Emilia, në moshën njëzet e shtatë vjeçare, e kupton ç’do të bëjë në jetë. E kishte ndjerë prej kohe thirrjen për t’u bërë murgeshë, kishte ndërruar tre kuvende, por tri herë me radhë e kishte parë se nuk ishte rruga që kërkonte. Kështu vendosi të kthehej në Vilefranke-de-Ruergë, një qytezë në jug-perëndim të Francës, ku e kishte rritur e gjyshja, një grua e fisme e shumë besimtare. Në pritje për të kuptuar ç’rrugë duhet të ndiqte, Emilia iu kushtua kujdesit për të sëmurët. Por ja, sot rruga e saj u përcaktua përfundimisht: do të hapë një shkollë për të varfër. Nuk ka asnjë urdhër rregulltar në Vilafrake, që mund ta hapë? Nuk prish punë: Emilia do ta themelojë vetë. Do të quhet ‘Kongregata e Familjes Shenjte’. Revolucioni e ka pakësuar shumë numrin e motrave e të meshtarëve, që i kushtohen mësimdhënies: plani i Emilisë nuk është aspak i tepërt, madje prek pikërisht nervin më të ndjeshëm të kohës. Klasa e parë hapet në dhomën e saj, sepse nuk ka asnjë qindarkë për të blerë një mjedis të përshtatshëm. Mësuesja nuk ia mbyll portën askujt: në dhomën e zakonshme shtrëngohen, si munden, më se dyzet nxënës. Emilia e kalon gjithë jetën duke dhënë mësim, duke lypur para për të blerë ndërtesa shkollore e për t’i mirëmbajtur, pa kërkuar kurrë pagesë nga familjet e nxënësve. Themelon një numër të madh shkollash, e jo vetëm në Vilefranke, por në të gjithë Francën. Kur mbylli sytë për dritën e kësaj bote, kishte themeluar 36 shkolla.
Për veprimtarinë e saj të palodhur në shërbim të arsimit, Emilia dë Rodà u shpall shenjte në vitin 1950.







All the contents on this site are copyrighted ©.