Në festën e të Ngjiturit të Zojës në Qiell nisi misioni kontinetal në Amerikën Latine
e në Karaibe.
(15.08.2008 RV)Festë e madhe sot në të 22 shenjtëroret kombëtare të Amerikës
Latine e të Karaibeve, por edhe në dhjetra e dhjetra shenjtërore të tjera, pothuajse
në të gjitha qytetet e rëndësishme të zonës. Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në
Qiell është një çast i posaçëm, në të cilin përkojnë të gjitha kremtimet fetare në
mbarë zonën: nga Meksika, në Kili; nga Paqësori, në Atlantik; në metropolet e mëdha,
por edhe në qendrat më të vogla urbane; në qyteza e fshatra, në fushë e në mal. Lidhjen
e ngushtë me këtë festë, së bashku me festën e Zojës së Papërlyer, më 8 dhjetor,
devocioni marian latinoamerikan, i rrënjosur thellë që nga koha e ardhjes së spanjollëve
e portugezëve, e shpreh me forcë përmes procesionesh ‘romerias’, kremtimit të Rruzares
Shenjte e të Eukaristisë, për të nderuar, kështu, Virgjërën Shenjte të përgjumur e
të ngjitur në qiell me trup e shpirt. Gjithnjë më e ndjerë vitet e fundit edhe tradita
për ta dëgjuar, përmes valëve të radios, lutjen e Engjëllit të Tënzot të Papës, që
shpesh arrin deri në skajet më të harruara të kontinentit. Prandaj sot, në Kuito,
dita e pestë dhe e fundit e Kongresit Amerikan Misionar, përfundoi me fillimin e
“Misionit të madh kontinental”, vendosur në përfundim të Konferencës së Episkopateve
të Amerikës Latine e të Karaibeve, në Aparesida.