2008-08-15 18:00:37

Me Nënë Terezën : “Tani po, besoj!”.


(15.08.2008 RV)RealAudioMP3 Në të katër anët e botës, misionarët e Kishës katolike, priftërinj, rregulltarë e laikë, përpiqen me të gjitha forcat që të gjithë njerëzit ta njohin Krishtin, të besojnë në Të. Po jo gjithnjë ia dalin mbanesh. Ç’duhet bërë që njeriu të thotë me gjithë zemër: ‘Tani, po, besoj?’. Kësaj pyetjeje i përgjigjet e Lumja e parë shqiptare në emisionin tonë të trembëdhjetë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’.

“Problemi i urisë është rrënqethës, por nuk mund të zgjidhet duke e analizuar teorikisht.
Duhet vepruar, duke nisur nga njeriu i parë, që takojmë.
Në se e bëjmë të lumtur e të qetë një njeri të vetëm, kemi bërë diçka, që menjëherë do të na e shpërblejë mundimin, duke na bërë edhe ne të lumtur.
Një ditë gjetëm në rrugët e Kalkutës një burrë, që po vdiste nga uria.
E sollëm në shtëpinë tonë.
Nuk ishte më në gjendje të hante, sepse kishte kaluar ditë e ditë pa vënë gjë në gojë.
Të nesërmen u munduam t’i japim pak oriz.
Por pikërisht kur po përpiqej të hapte gojën për ta ngrënë, dha shpirt: kishte ndenjur tepër gjatë pa ushqim. Nuk mund të rikthehej më në jetë.
Të krishterët e parë vdisnin për Jezusin e njiheshin për dashurinë që kishin njëri për tjetrin. Kishte shumë dashuri ndërmjet të krishterëve asokohe.
Kurse sot bota ka tepër nevojë për dashuri. S’ka pasur kurrë më shumë.
Njerëzia vdesin nga uria për dashuri.
Gjatë shtegtimeve të mia nëpër rrugët e kësaj bote, kam parë me sytë e mi prindër që i japin për të ngrënë vetëm fëmijës më të madh në moshë, që të mund të shkojë në shkollë.
Të tjerët duhet të rrinë shtrirë, gjysëm të vdekur, që të mos kërkojnë bukë më shumë se një herë në ditë.
Besoj se jo të gjithë e kuptojnë sa e tmerrshme është kjo. Veç në se do ta provonin në fëmijët tyre.
Një ditë pas vdekjes së njeriut të uritur, motrat e mia po pastronin një të gërbulur, të mbuluar me plagë.
Një hoxhë i ndoqi me vëmendje, deri sa e kryen punën dhe e vendosën të gërbulurin në shtroje.
Hoxha, i mrekulluar, tha:
“Kam besuar gjithnjë se Krishti është profet. Sot, po, besoj se Jezu Krishti është Zot, ndryshe si mund t’u jepte gjithë këtë gëzim këtyre motrave: gëzim pa të cilin nuk do të ishin kurrë në gjendje ta kryenin një punë të tillë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.