Kisha kujtoi Shën Maksimilian Kolben, martir i kampeve naziste të shfarosjes.
(14.08.2008 RV)Dje Benedikti XVI
i lartoi Zotit lutjen për paqe, me ndërmjetësimin e Shën Maksimilian Kolbes, të cilin
Kisha e përkujtoi sot, e duke ia besuar njerëzimin Virgjërës Mari, dy ditë para solemnitetit
të Ngjitjes së Zojës në Qiell. Po kush ishte Shën Maksimiliani? Raimondi (ky
ishte emri i pagëzimit), më vonë rregulltar françeskan konventual me emrin Maksimilian,
lindi në Zdunska-Vola në Poloni, më 7 janar 1894. Më 1939, kur gjermanët pushtuan
Poloninë, Kolbe vijonte të jetonte në kuvendin e vet. Mbajti menjëherë qëndrim të
prerë e të hapur kundra nacionalsocialistëve. U bë, kështu njeri i padëshirueshëm,
prandaj nazistët e internuan në kampin e tmerrshëm të shfarosjes të Aushvicit. Ishte
muaji shkurt i vitit 1941. Që nga kjo ditë ai nuk ishte më as Raimondi e as Atë Maksimiliani,
por numri 16. 670. Aty nga fundi i korrikut të të njëjtit vit, në sa një nga të internuarit
dënohej me vdekje, Atë Kolbe u tregua i gatshëm të zinte vendin e të dënuarit. Fali
jetën e vet, për të shpëtuar një tjetër jetë. Pas dy javë vuajtjesh të papërshkrueshme,
ai shtrinte krahun për gjilpërën me acid fenik, në sa buzët shqiptonin për herë të
fundit mbi tokë: "Të falem Mari!". Ishte nata e solemnitetit të ‘Të ngjiturit të Zojës
në qiell’ e ai nuk i kishte mbushur ende 47 vjetët. Dje, në audiencën e përgjithshme,
duke kujtuar Shën Maksimilian Maria Kolben dhe Shën Tereza Benediktën e Kryqit (Edit
Shtain), që e përfunduan me martirizim jetën e tyre tokësore në kampin e nazist të
përqendrimit, në Aushvic, Papa theksoi: “Në dukje jetët tyre mund të konsiderohen
një disfatë e vërtetë, por pikërisht në martirizimin e tyre shkëlqen drita e dashurisë,
që mund errësirën e egoizmit e të urrejtjes. Njihen si të Maksimilian Kolbes fjalët
e mëposhtme, që ai i tha në kulmin e tërbimit të persekutimit nazist: ‘Urrejtja nuk
është forcë krijuese; krijuese është vetëm forca e dashurisë’. E provë heroike e dashurisë
ishte dhurimi bujar i vetvetes për shpëtimin e shokut të burgut, të cilit i zuri vendin
në bunkerin e urisë, ku edhe do të vdiste më 14 gusht 1941” (Audienca e
përgjithshme, 13. 08. 2008).