365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Aleksandër Manxoni, shkrimtar
romantik".
(14.08.2008 RV)Dëgjohet zhurma shurdhuese e një shpërthimi. Me rastin e martesës
së tij me Maria Luizën, Napoleoni jep për popullin e Parisit një shfaqje me fishekzjarre...
Por në këtë epokë, e jemi në vitin 1810, festat me fishekzjarre janë shumë të rralla.
Turma vigane, që është mbledhur për të duartrokitur çiftin e ri, s’e ka parë kurrë
një shfaqje të tillë. Të gjithë besojnë se është shpërthim topash. Prandaj në mes
të turmës gjarpëron paniku. Dikush bërtet: “Duan të na vrasin! O burra, t’ua mbathim
këmbëve!”. Njerëzit turren nga të gjitha drejtimet e janë në rrezik të shelin
njëri tjetrin, për të shpëtuar nga vdekja. Më të ligshtit, fëmijët e gratë, nuk mund
ta përballojnë gjithë këtë konfuzion. “Enriketë, mos më lësho!” - këlthet një djalosh
i ri me theks të ndjeshëm italian. Shtrëngon fort dorën e gruas, një leshverdhë hollake,
që duket se nuk i ka mbushur akoma të njëzetat. Po turma i shtyn nga të gjitha anët
e i ndan dy të rinjtë e dashuruar. Aleksandër Manxoni ngjitet me vrap në maje të një
shtylle, për ta ndjekur me sy Enriketën, por ajo nuk duket gjëkundi. Shqetësohet tepër:
pa Enriketën jeta e tij do të ishte skëterrë. Kështu mendon, por gabohet. Jeta do
t’i buzëqeshë: është i zgjuar e shkrimtar me talent. E megjithatë në këtë çast është
i bindur se të gjitha talentet nuk do t’i vlejnë asnjë grosh, në se do të mbetet
i vetëm në këtë botë. Në vendin ku humbi Enriketën gjindet Kisha e Shën Rrokut. Aleksandri
hyn, gati pa u kujtuar. Gjunjëzohet e, tepër i çuditur nga vetvetja, nis të lutet.
Pikërisht ai, që nuk beson në Zotin prej vitesh! Prindërit e tij janë të krishterë,
po ai është larguar nga feja. Mendon se njerëzit me mend në kokë nuk mund të jenë
të krishterë, se nuk ka parajsë as skëterrë. Nga ana tjetër, kur kërkojmë ndonjë gjë
nga Zoti, ai nuk na e dëgjon kurrë lutjen! E pra sot Aleksandri nis përsëri të lutet.
I lutet Zotit t’ia mbrojë Enriketën. Si del nga Kisha, shikon se rruga është plot
me të vdekur e të plagosur. Po nuk pushon së kërkuari vajzën. Nuk i dihet… E, papritmas,
e shikon duke vrapuar drejt tij, shëndosh e mirë. Ky takim e prek thellë shpirtin
e Aleksandrit: bindet se Zoti është, se i dëgjon lutjet. “Sa gabim të mendosh
se qielli është i zbrazët, se askush nuk të sheh, nuk të dëgjon, nuk të ndihmon, kur
ke aq shumë nevojë e ndihma mund të vijë vetëm nga ‘lart’. Aleksandër Manxoni do
të njihet shumë shpejt si një nga shkrimtarët më në zë të Italisë. Por lavdia nuk
do ta bëjë ta harrojë këtë ngjarje. Hyji një ditë e dëgjoi e ai e falënderoi për gjithë
jetën!