Rusia ndalon luftimet në Gjeorgji, por Tbilisi denoncon sulme të reja ruse. Së paku
100 mijë refugjatë në rajonin e përfshirë nga konflikti.
(12.08.2008 R V)Presidenti
rus Medvedev pas takimit të sotëm në Kremlin me ministrin e brendshëm Anatolij Serdjukov
dhe shefin e shtabit të përgjithshëm Nikollaj Makarov, vendosi që të ndërpriten luftimet
në Gjeorgji. “Qëllimi u arrit. Siguria e forcave tona paqëruajtëse dhe e popullisë
vendase u rivendos.”deklaroi për shtypin presidenti rus. Ndërkaq burimet gjeorgjiane
lajmërojnë se në Gori dhe disa fshatra bombardimet ruse vazhdojnë ende. Nga ana
tjetër, sot në Tbilisi afro 50 mijë qytetarë me flamuj bardhekuq manifestuan paqësisht
kundër sulmeve ruse nën parullën “Jemi të bashkuar”. Gjatë manifestimit presidenti
gjeorgjian Saakashvili deklaroi daljen e vendit të tij nga Bashkësia e Vendeve të
Pavarura, organizatë në të cilën pas viteve ’90 nën udhëheqjen e Moskës, u mblodhën
të gjitha republikat ish-sovjetike, me përjashtim të atyre balltike. “Po dalim me
të vërtetë nga Bashkimi i Vendeve të Pavarura dhe i këshillojmë edhe vendet e tjera
të veprojnë kështu e të largohen nga kjo organizatë e drejtuar nga Rusia.” tha presidenti
gjeorgjian. Po ashtu në një deklaratë tjetër presidenti Saakashvili tha se Osetia
jugore dhe Abhazia janë tashmë zona të pushtuara nga Rusia; se trupave ruse do t’u
tërheqë mandatin e paqëruajtësve dhe do t’u japë atë të pushtuesve E ndërsa fronti
në Osetinë jugore po bie në fashë, po ndizet ai në Abhazi. Forcat separiste filoruse
po sulmojnë për të pushtuar grykat e Kodorit, një enklavë gjeorgjiane. Sot pasdite
në Tbilisi arriti edhe presidenti francez Sarkozy i shoqëruar nga presidentë të pesë
vendeve të tjera me qëllim ndërmjetësimin për paqë në emër të BE. Nesër ministrat
e jashtëm të BE-ian do të dëgjojnë raportin e kolegut të tyre francez Bernard Kushner,
i porsakthyer nga misioni i tij në Moskë dhe Tbilisi si edhe do të diskutojnë për
një ndërhyrje të mundshme humanitare në zonat e luftimeve. Veçanërisht të ashpër
me Rusinë janë treguar amerikanët. Përgjigjen e Moskës ndaj Gjeorgjisë e kanë quajtur
të shpërpjestuar. Vetë presidenti Bush një orë pas kthimit nga Kina, deklaroi se Rusia
po sulmon një vend sovran me një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe se një
gjë e tillë është e papranueshme në shekullin e XXI. E ndërsa lufta dhe paqja
janë një hap larg njëra-tjetër gjendja e të shpërngulurve nga konflikti i armatosur
vijon të jetë dramatike. Sot Caritas-i italian bëri thirrje për armëpushim që të ndihmohen
të dëmtuarit. Sipas komisariatit të lartë të OKB-së për refugjatët, të shpërngulurit
në të dyja anët e kufirit arrijnë në rreth 100 mijë vetë.
Me 100 vota pro,
pesë kundër dhe dy abstenime parlamenti libanez votoi për mirëbesimin e qeverisë së
re të bashkimit kombëtar. Përfundimi pozitiv u arrit pas katër ditë diskutimesh të
nxehta në lidhje me arsenalin ushtarak të partisë shiite hezbollah, e cila ka përfaqësuesit
e saj në qeverinë filoperëndimore të kryeministrit Fuad Siniora.