Myftiu i madh i Sirisë e fton Papën në Damask për Vitin kushtuar Shën Palit
(17.08.2008 RV)Viti kushtuar Shën
Palit, hapur nga Papa më 28 qershorin e kaluar në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve
të Romës, për Damaskun është rast i përshtatshëm dialogu ekumenik dhe ndërfetar.
Siria, me 20 milionë banorë, 90 % e të cilëve myslimanë e 10 % të krishterë, dallohet
për traditën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve, e cila i ka rrënjët në bashkësitë
e para të krishtera, që lindën në këtë zonë dymijë vjet më parë. Dialogu ndërmjet
myslimanëve e të krishterëve nuk është gjë e re, ka ekzistuar gjithnjë, e vijon të
fuqizohet – nënvizoi kryemyftiu i Xhamisë së madhe të Omajadeve, Xhemal Mustafa Arabi,
duke folur me një grup gazetarësh evropianë, shtegtarë në gjurmët e Shën Palit në
Damask, me ftesën e Ministrisë vendase të Turizmit, në bashkëpunim me Veprën Romake
të Shtegtimeve. Më pas Kryemyftiu kujtoi vizitën e Gjon Palit II në Xhaminë e Madhe,
në vitin 2001, në një vend ku lind përvoja e të jetuarit njëri me tjetrin çdo ditë,
në gjirin e së njëjtës bashkësi e kulturë. Por ftesën drejtuar Benediktit XVI për
të vizituar Damaskun me rastin e Vitit kushtuar Shën Palit, e bëri së pari Myftiu
i Madh i Sirisë, Ahmed Badr Al Deem Hassun. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radios
sonë:
Përgjigje: - Damasku në këtë periudhë është kryeqyteti
i kulturës arabe, por njëkohësisht është edhe kryeqytet i vitit kushtuar Shën Palit.
Shën Pali është ai, që u verbua pikërisht kur ishte për udhë drejt Damaskut; është
ai, që u shndërrua nga Saul, në Shën Pal. Sivjet kremtohet dymijëvjetori i lindjes
së tij. Do të ishte kënaqësi e madhe në se Ati i Shenjtë do ta pranonte ftesën tonë
për të vizituar Sirinë pikërisht këtë vit, ose në se do të mund të realizohej një
takim ndërmjet Shenjtërisë së Tij e Myftiut të Madh, në Vatikan, për ta përgatitur
këtë vizitë. Shpresojmë të krijojmë kështu mundësitë për të mbjellur lulen e paqes
në Lindjen e Mesme.