2008-08-12 18:15:41

Me Nënë Terezën:“Mos u kërkoni para njerëzve…!”.


(12.08.2008 RV)RealAudioMP3 Paraja shndërrohet në çdo gjë, që palët mendojnë se mund të shkëmbehet” – ky është përkufizimi i parasë. “Jezusi nuk kishte para në xhep” – na kujton Shën Mateu në Ungjillin e tij (Mt 17,24-27). ‘Mos kërkoni para, mos e mbështesni jetën tek paraja, por tek Provania Hyjnore’ – na porosit Gruaja e parë shqiptare, që u lartua në nderimet e elterit, në Emisionin tonë të dhjetë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’. Po me se mund të zëvendësohet paraja? Nënë Tereza përgjigjet:

“Në vitin 1976, ndërmjet 15 e 16 gushtit, organizuam, në Lipshtad (Republika Federale Gjermane), një takim ndërkombëtar me bashkëpunëtorët.
Erdhën nga vende të ndryshme.
Një nga gjërat më të bukura, ishte mikpritja që na bënë familjet gjermane.
Por edhe aspektet e tjera të takimit patën shumë sukses.
Atyre, që ishin mbledhur në Lipshtad, u thashë:
‘Duhet të shkrijmë të gjitha aftësitë, për ta bërë punën tonë vepër dashurie. E që të jetë e tillë, duhet bazuar mbi flijimin e plotë të vetvetes’.
Siç e dini, motrat tona bëjnë kusht të vihen me gjithë zemër në shërbim të të varfërve më të varfër, e falë këtij kushti, e mbështesim gjithë besimin tek Provania Hyjnore.
Ne nuk pranojmë kurrfarë pagese për punën që bëjmë. Nuk jemi organizatë që mbledh fonde.
Veprën e Zotit duhet ta kryejmë me dashuri e, në se duhet, edhe me vetëflijim.
Prandaj saktësoj se të gjitha paratë, ilaçet, ushqimet ose sendet e tjera, që marrim, duhen përdorur pa përjashtim vetëm për të varfërit, që i janë besuar kujdesit të Misionareve të Dashurisë.
Kjo përbën një akt drejtësie ndaj të vafërve, në emër të të cilëve i pranojmë këto dhurata.
Do të më pëlqente të mos u kërkoni njerëzve të kontribuojnë me kuota të caktuara, javore ose mujore.
Këtë nuk e lejoj as në Indi.
Varemi nga Provania Hyjnore e nuk më pëlqen fare të krijojmë përshtypjen se ajo që na intereson, është paraja e tyre.
Edhe bashkëpunëtorët duhet ta lëshojnë veten në dorë të Provanisë Hyjnore.
Në se njerëzit dhurojnë vullnetarisht para, bekuar qoftë Zoti; por, ju lutem mos humbisni kohë duke mbledhur të holla e duke bërë llogari.
E mos gaboni të bëni lajmërime, të shkruani letra qarkore e të organizoni pazare, për të shitur ku ta di unë çfarë gjërash.
Duhet të çojmë shpirtin e flijimit në jetën e njerëzve, duke u flijuar vetë të parat.
Besoj se këtë do Jezusi, e nuk do të lodhem kurrë s’e përsërituri.
Dhurojmë gjithçka kemi për lumni të Zotit e lutemi të na bëjë mjet të paqes, të dashurisë e të mirësisë.
Punën tonë ndërmjet të varfërve duhet ta bëjmë vepër dashurie, por për ta arritur këtë, duhet të kultivojmë në vetvete shpirtin e flijimit.
Prandaj nuk pranojmë shpërblim material, as nuk duam të bëhemi organizatë për mbledhje fondesh…”.







All the contents on this site are copyrighted ©.