2008-08-11 16:05:49

Papa në Engjëllin e Tënzot për krizën ndërmjet Rusisë e Gjeorgjisë: t’i jepet fund veprimeve ushtarake, në emër të trashëgimisë së përbashkët të krishterë.


(11.08.2008 RV)RealAudioMP3 Thirrje e fuqishme për situatën në Osetinë jugore, shoqëruar nga ftesa për t’u lutur së bashku me ortodoksët, ishin në qendër të vëmendjes në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Benedikti XVI, gjatë së cilës Papa shprehu edhe mirënjohjen për periudhën e pushimit e të meditimit në Alto Adigje.
Pas lutjes mariane, Benedikti XVI shprehu ankthin e thellë për ngjarjet tragjike, që vijojnë në Gjeorgji e që, duke nisur nga zona e Osetisë jugore, shkaktuan shumë viktima të pafajshme e i detyruan shumë civilë të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Uroj me gjithë zemër – tha Papa – të marrin fund menjeherë veprimet ushtarake e të hiqet dorë, edhe në emër të trashëgimisë së përbashkët të krishterë, nga ndeshjet e raprezaljet e dhunshme, që mund të degjenerojnë në një konflikt me shtrirje akoma më të gjërë; e të rifillojë rruga e bisedimeve dhe e dialogut respektues e ndërtimtar, duke i shpëtuar kështu këto popullsi të dashura, nga vuajtje të reja e të dhimbshme”.
Më pas Ati i Shenjtë i bëri thirrje edhe Bashkësisë Ndërkombëtare:
“Ftoj edhe Bashkësinë Ndërkombëtare dhe vendet që kanë më shumë ndikim mbi situatën aktuale, të bëjnë çdo përpjekje të mundshme, të mbështesin e të promovojnë nisma për të gjetur rrugëzgjidhje paqësore e afatgjata, në favor të bashkëjetesës mbi bazën e respektit të anasjelltë”.
Papa i ftoi besimtarët të luten, së bashku me vëllezërit ortodoksë, duke ia besuar ndjetin e vet Virgjërës Mari. Në përfundim, duke folur në gjuhën gjermane e në atë ladine, i falënderoi të gjitha bashkësitë famullitare të Bolxano-Bresanones për përzemërsinë e tyre, duke përfshirë këtu edhe gazetarët e punonjësit e informacionit masiv, që e ndoqën gjatë periudhës së pushimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.