2008-08-11 16:31:17

Me Nënë Terezën : “Më sillni një meshtar…!”


(11.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot shumë njerëz, që e konsiderojnë veten modernë, duan ta zëvendësojnë Zotin me njeriun, duke e vënë veten në qendër të universit. Harrojnë, kështu, urdhërimin kryesor, që i jep kuptim jetës njerëzore: “Duajeni Zotin e duajeni edhe njëri-tjetrin”. Pasojat janë të rënda e kthesa, e vështirë, por jo e pamundur. Na bind për këtë e Lumja e parë shqiptare, në emisionin tonë të nëntë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’. Tregimi i saj i sotëm titullohet: “Më sillni një meshtar”.

“Bëj pjesë në grupin e atyre, që janë të bindur mbi nevojën edhe frytin e sakramentit të Pagëzimit. Disa meshtarë, të ndikuar fuqimisht nga idetë moderne, më sigurojnë se gabohem.
U përgjigjem:
“T’i lëmë mënjanë fjalët e tepërta. Unë s’mund t’ju bind juve, por as ju nuk mund të më bindni mua!”.
Përsa na përket ne, do të vijojmë pa lëkundje t’i pagëzojmë ata që shprehin dëshirën ta marrin këtë sakrament.
Motrat tona punojnë në mënyrë të jashtëzakonshme. Pak të themi, të shkëlqyeshme.
Hyjnë në shtëpitë e të varfërve.
Lajnë, pastrojnë, qepin, gatuajnë e u përgatisin ushqimin atyre, që s’mund ta përgatisin vetë.
Gjatë shërbimeve të kësaj natyre, trokitën në portën e një burri që, me sa dukej, dikur e kishte kaluar mirë.
Tani jetonte krejtësisht i vetmuar.
Për më tepër, ishte edhe i sëmurë. S’ishte më i zoti të bënte vetë asnjë punë. Motrat bënë gjithçka kishte nevojë.
E vijuan ta ndihmojnë vazhdimisht.
Një ditë ai u tha:
“Motra, ju sollët Zotin në shtëpinë time. Më sillni, pra, edhe një meshtar!”.
Ia sollën meshtarin e ai e rrëfye. Plaku i mirë nuk ishte rrëfyer që prej gjashtëdhjetë vjetësh.
Të nesërmën vdiq në paqe me Zotin.
E tregova këtë ngjarje gjatë një takimi në SHBA, ku më kërkuan të them dy fjalë për veprimtarinë e motrave të mia.
Në përfundim të takimit, një meshtar m’u afrua e më tha:“Kisha vendosur ta braktisja meshtarinë. Madje kam kërkuar edhe dorëheqjen nga ipeshkvi. Pasi dëgjova fjalët tuaja, ju siguroj se do ta tërheq kërkesën e do të vijoj t’u shërbej shpirtrave, si meshtar i Krishtit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.