365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Karmelitanet e Kompienjë,
besnike deri në vdekje".
(11.08.2008 RV)Sot, 17 korrik 1794,
po ngrenë një gijotinë. Shfaqja duhet të jetë prekëse: do t’u pritet koka, para syve
të të gjithëve, disa karmelitaneve, që zakonisht jetojnë të mbyllura, pa dalë kurrë
nga kuvendi, ku luten për shpëtimin e mbarë njerëzimit. E pra rreth gijotinës
atmosfera është krejt e pazakontë. Zakonisht kureshtarët ulurijnë e tallen me të dënuarit,
që sillen aty mbi një karro. Ndërsa sot rreth mjetit të tmerrshëm të vdekjes, shpikur
shumë para revolucionit francez, mbretëron një heshtje varri. Duhet theksuar se turma
nuk është mësuar të shikojë të dënuar kaq të nderuar, si motratkarmelitane të cilat,
shtrënguar njëra me tjetrën, janë krejt të qeta. Duket sikur nuk kanë frikë fare,
e nuk të krijojnë përshtypjen se i urrejnë njerëzit, që i rrethojnë. Madje të duket
sikur shikon nuse të reja, të emocionuara, që presin me padurim të shkojnë te Krishti.
Jo vetëm që s’ qajnë, por këndojnë e lavdërojnë Zotin! Më e reja, Konstanca, bën
një hap para e gjunjëzohet para Nënës Eprore. Me zë të dridhshëm, por të vendosur,
i kërkon bekimin dhe lejën për të vdekur. Si merr bekim e lejë, me kokë lart e pamje
krenare, ngjit shkallët e podiumit, duke kënduar. E vë vetë kokën nën satër, pa e
lënë xhelatin ta prekë. Shoqet e ndjekin me të njëjtën sjellje fisnike e guximtare
e vdesin njëra pas tjetrës, pas përsëritjes së kushteve. Nëna Eprore mbetet e fundmja,
sepse kërkon të shikojë si martirizohen bijat e saj. Është e gjashtëmbëdhjeta që flijon
jetën në emër të fesë. E pikërisht për shkak të fesë u dënuan me vdekje karmelitanet.
Në këto kohë revolucionare, kur shumë nuk besojnë më në askënd e në asgjë, në emër
të arsyes, motrat akuzohen për lidhjen e tyre me besime foshnjore e me praktika të
marra fetare. Karmelitanet i dëgjojnë këto fjalë nga goja e gjykatësit, si të ishin
bekim. “Ç’gëzim! Çfarë gëzimi i papërshkrueshëm të vdesësh për Zotin!”, brohoret
njëra prej tyre. Gjatë Revolucionit francez nuk u persekutuan vetëm meshtarët e
murgeshat. U përndoqën e u dënuan edhe shumë laikë: burra, gra e fëmijë, që e paguan
me jetë besnikërinë e tyre ndaj Kishës së Krishtit. Sipas historianëve, gjatë revolucionit
flijuan jetën njëqind mijë martirë të fesë. Ndërmjet tyre, gjashtëmbëdhjetë karmelitanet
e Kompienjës. Me vdekjen e tyre dëshmuan se nuk ka dashuri më të madhe, sesa të japësh
jetën për atë që do!