2008-08-10 17:49:20

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar


(10.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën XIX të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.
U përkujtua edhe Shën Lorenci, diakon e martir.

Në se Zoti ia dëfton lumninë profetit, aq më shumë do ta tregojë pushtetin kur, pasi e ngjalli Jezusin nga të vdekurit, do t’u prijë nxënësve të Tij drejt Mbretërisë së qiellit. Këtë na kujton liturgjia të hënën, në festën e Shenjtorëve Kiara e Asizit, virgjër, themeluese e klariseve, Tiburci martir e Suzana romake.

 
Njeriu që ushqehet vazhdimisht me fjalën e Zotit, bëhet i përvujtë e i dëgjueshëm, si fëmijët: prandaj Ati qiellor nuk e lëshon kurrë dore, e ruan, e ushqen e ia mbush shpirtin me gëzimin, që vetëm Ai di ta japë. Ky reflektim buron nga liturgjia e së martës, në festën e Shën Gjovana Françeska Shantal, rregulltare e të Shën Inoçencit XI, papë.

Të mërkurën do të kremtohen Shën Ponciani Papë e Hipoliti, meshtar, martirë dhe Shën Gjoni Berkmans, jezuit. Na kujtojnë se njerëzit e prapë, për shkak të prapësive të tyre, nuk mund të shpëtojnë nga dënimi i pashmangshëm i Zotit. Prandaj duhen ndihmuar sa më shpejt me qortime, me lutje e këshilla vëllazërore, që të rigjejnë praninë paqëtuese të Zotit, në sa nuk janë thirrur ende para gjyqit të Tij. Këtë na kujton liturgjia e së enjtes, në festën e Shën Maksimilian Kolbes, meshtar françeskan konventual e martir dhe Shën Euzebit, romak.

Të premten do të kremtohen Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell, një nga festat më të dashura për devocionin popullor. Kujtojmë në këtë festë të ngjiturit e Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp, ashtu siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më pas, Piu XII e shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950.
Do të përkujtohen edhe Shën Tarçizi romak, martir e Shën Stanisau Kostka, jezuit.

Shën Shtjefni, mbret i Hungarisë e Shëna Rroku, shtegtar, që do të festohen të shtunën, na kujtojnë se Zoti do ta gjykojë secilin nga ne sipas veprave tona, prandaj duhet të shkojmë te Jezusi si fëmijët, të cilët besojnë se Zoti, që i do, do t’i falë.

Të dielën e ardhshme Kisha do të vijojë liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën XX të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.