2008-08-10 18:00:59

Kisha jeton pranë shqetësimeve të familjes njerëzore


(10.08.2008 RV)Ekuador: kërcënime kundër kryetarit të Konferencës ipeshkvnore
Kryetari i Konferencës ipeshkvnore ekuadoriane e kryeipeshkëv i Guajakuilit, imzot Antonio Arregi Jarza, është kërcënuar telefonikisht pas deklaratave të 28 korrikut të kaluar për bocën e Kushtetutës së vendit, që do t’i nënshtrohet referendumit më 28 shtator. Ipeshkvi preku posaçërisht katër pika: “paqartësinë lidhur me faktin se njeriu qëndron mbi shtetin e shteti duhet të jetë në shërbim të tij; mostheksimin e së drejtës për të jetuar që nga zënia, gjë që i lë portën hapur praktikimit të abortit; zëvendësimin e ‘familjes tipike’ me ‘disa tipe famijesh’, dmth me bashkime të të njëjtit seks; mosrespektimin e së drejtës së familjes për të zgjedhur rrugën e shkollimit të fëmijëve”.
Duke u nisur nga Koncili II i Vatikanit, prelati theksoi se Kisha mund e duhet ta predikojë çdo çast fenë me liri të plotë, t’i mësojë doktrinën e saj shoqërisë dhe të japë gjykimin përfundimtar për ngjarjet e mëdha e të vogla që ndikojnë mbi zhvillimin e njeriut.

Moskë: la gjurmë të thella salikimi i shkrimtari të madh rus, Sollzhenicin
Ngjarje që la mbresa me përmasa botërore, Mesha e dritës për shkrimtarin e madh rus, Sollzhenicin. Të mërkurën e kaluar Rusia i dha, me madhështi, lamtumirën e fundit. Trupi i tij zbriti në Varr, në Manastrin e Donskoit, mes një emocioni të përgjithshëm. Liturgjia solemne, që zgjati rreth një orë e gjysëm, tregoi se Rusia nderonte qytetarin e vet të madh e mbrojtësin zyrtar të të drejtave të njeriut, që jetoi i persekutuar, por vdiq ngadhënjimtar.

Përfundoi në Ekuador kursi për aktualizmin e Biblës.
“Në çastin historik, që po jetojmë, nuk është e lehtë të njihen shenjat e vullnetit e të dashurisë së Hyjit”. Me këto fjalë, të hënën e kaluar, imzot Ruben Salazar, kryeipeshkëv i Barrankuilës, në Kolumbi, iu drejtua ipeshkvijve latino-amerikanë gjatë Meshës përfundimtare të seminarit për aktualizmin e Biblës, mbajtur në Kuito të Ekuadorit. Prelati theksoi rëndësinë që kanë për Kishën, dëgjimi i shenjave të kohës, aftësia për ta dëgjuar gjithnjë zërin e Zotit, ungjillëzimi i ri, me metoda e shprehje të reja.
“Lajmi i mirë duhet kumtuar në mënyrë, që të kuptohet nga të gjithë e të arrijë tek të gjithë” – kjo është detyra kryesore e Kishës aktuale që, si gjithnjë, shqetësohet në radhë të parë për ta kuptuar e për ta jetuar vullnetin e Zotit – u nënvizua në përfundim të kursit.

Toka Shenjte: u kremtua mbi Malin Tabor, festa e Shndërrimit të Zotit.
Qindra besimtarë u ngjitën, të mërkurën e kaluar, mbi Malin Tabor, për të marrë pjesë në kremtimin solemn të festës së Shndërrimit të Zotit në Shenjtëroren, që është nën kujdesin e fretërve françeskanë. Binin në sy sidomos familjet e të rinjtë, ardhur nga famullitë latine të Galilesë, por edhe shtegtarë nga mbarë bota. Kujtojmë se kremtimi u mbajt pikërisht atje ku u Shndërrua Zoti, vend mbi të cilin ngrihet Shenjtërorja e ndërtuar mbi gërmadhat e kishës së mëparshme bizantine, sipas planit të arkitektit Barlumi, shuguruar në vitin 1924.

Filluan punimet e mbledhjes plenare të ipeshkvijve të Botsavës, Jugut të Afrikës dhe Svaicilandit.
Një forum i laikëve, një reflektim baritor mbi votimet e ardhshme në Republikën Jugafrikane dhe një diskutim mbi orientimet e edukimit katolik në Afrikën Jugore. Këto janë temat kryesore, rreth të cilave u fol gjatë javës së kaluar në Plenaren e Konferencës ipeshkvnore të Afrikës Jugore, mbledhur në manastirin Marianhill.

Në Panama – seminar kundër trafikut të njerëzve, organizuar nga Celam.
Trafiku i qenieve njerëzore është një nga format e skllavërisë në shekullit XXI. Me këtë vetëdije veprimtarët baritorë të Amerikës Latine morën pjesë në një seminar, organizuar në Panama nga Seksioni i Lëvizjes njerëzore i Këshillit Ipeshkvnor Latino-amerikan (Celam). Qëllimi i takimit, që përfundoi më 8 gusht, ishte dhënia e kontributit konkret për parandalimin dhe zhdukjen e fenomenit.

Ipeshskvijtë e Uruguait përgatiten për vizitën ‘ad Limina’ dhe për Sinodin e Fjalës së Zotit.
Vijon, në Uruguaj, Asambleja plenare e Konferencës ipeshkvnore, me një qëllim të dyfishtë: organizimin e vizitës ‘ad Limina’ dhe planifikimin i pjesëmarrjes në sinodin kushtuar Fjalës së Zotit, takime të mëdha, që do të mbahen në Vatikan, në fund të tetorit të ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.