2008-08-08 17:54:18

Madhështore, ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Pekin 2008


(08.08.2008 RV)Lojë mahnitëse dritash, tinguj lodrash, muzikë, valle e fishekzjarre në ceremoninë madhështore të hapjes së Lojërave Olimpike të Pekinit.
“Kina e populli kinez i mbajtën zotimet e marra në vitin 2001 për Lojërat Olimpike”. Këto fjalë, shqiptuar pak orë më parë nga presidenti kinez, Hu Jintao, krijuan emocionet e para të hapjes plot vezullime të Lojërave të 29-ta Olimpike në stadiumin ‘Foleja e zogut’ . Fjalimi i Presidentit u prit me ovacione.
Ndërmjet krerëve të shteteve - presidentët Bush e Sarkozi. Sytë e mbarë botës - ngulur mbi festën. Paradën e hapin sportistët e Greqisë. Merr pjesë edhe Shqipëria, që përfaqësohet për herë të parë me 11 sportistë në 6 disiplina të ndryshme. Sportistët që do të garojnë me flamurin shqiptar në “Pekin 2008” janë Klodiana Shala dhe Dorian Çollaku në atletikë, Sahit Prizreni dhe Elis Guri në mundje, Lindita Kodra në qitje, Romela Begaj, Erkand Qerimaj dhe Gerti Trasha në peshëngritje, Rovena Marku dhe Sidni Hoxha në not dhe Edmond Topalli në xhudo.
Shqipëria nuk parakaloi ndërmjet ekipeve të para, por ishte e 105-ta në radhë, për shkak se u respektua alfabeti kinez. Flamurin kuq e zi e mbajti mundësi Sait Prizreni, një nga pretendentët e Shqipërisë për medalje.
Shqipëria merr pjesë për herë të gjashtë në një Olimpiadë, pas Munihut 1972, Barcelonës 1992, Atlantës 1996, Sidneit 2000 dhe Athinës 2004.E ndërsa shpresojmë në sukseset e sportistëve përfaqësues të Shqipërisë, urojmë që në Lojrat e ardhshme Olimpike të realizohet ëndrra e atletëve të Kosovës për të përfaqësuar Shtetin e ri e të pavarur, ndërmjet kombeve të botës, që filluan sot luftën më paqësore: atë sportive.







All the contents on this site are copyrighted ©.