2008-08-08 17:53:42

Ipeshkvi i Hong Kongut në hapjen e Lojërave Olimpike


(08.08.2008 RV)Në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, që u mbajt sot në Pekin, ndërmjet autoriteve të larta të të gjitha natyrave, ishte i pranishëm edhe ipeshkvi- ndihmës i Hong-Kongut, Imzot Xhon Tong. T’i shikojmë me sytë e tij Lojërat e Pekinit, qëllimin e tyre dhe shpresat që ngjallin për të ardhmen. Ja si shprehet ipeshkvi kinez:

 
“E pranova, jo pa ngurrim, ftesën e qeverisë kineze, për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike.
Jam dashamir i sportit, e jo vetëm si spektator, por edhe si sportist. Luaj basketboll e mendoj se një sport i tillë ndikon jo vetëm në ruajtjen e formës fizike, por krijon edhe mundësitë për t’u shoqëruar me të tjerët. Ushtrimi i bën mirë trupit e mendjes: “Mens sana in corpore sano’. Pa uratën, nuk mund t’u bëj ballë shqetësimeve të përditshme të misionit tim. E të njëjtën gjë mendoj edhe për sportin.
Lojërat Olimpike i kam vlerësuar gjithnjë e, sivjet, jam krenar që po zhvillohen në vendin tim. E konsideroj si nder të veçantë ftesën që më bëri qeveria.
Sapo e mora, u këshillova me eprorët; Selia e Shenjtë nuk më ndaloi; kardinali Jozef Çen Zhë-Qyn më nxiti të shkoj e Benedikti XVI, kur luajti para tij një orkestër kineze, uroi që Lojërat Olimpike në Kinë të zhvillohen me sukses të plotë. Vendosa, prandaj, të pranoj. Por, e thashë që në fillim: jo pa mëdyshje. E kjo, për disa arsye. Në sa në ceremoninë e hapjes në Pekin, u ftuan liderët e gjashtë feve kryesore të Hong-Kongut, në ngjarjen e madhe mungon autoriteti më i lartë katolik: Kardinali Çen. Do të ishte mirë që Kina t’i hapte një herë e mirë të gjitha portat e për të gjithë liderët fetarë.
E në sa unë marr pjesë në festën olimpike, shumë klerikë katolikë kinezë ndodhen në burg ose në arrest shtëpijak. Ndërmjet tyre, shumë emra të njohur ipeshkvijsh e meshtarësh. Për të mos kujtuar se shumë të tjerë e kryejnë veprimtarinë fetare në klandestinitet. Të tjerë arrestohen e lirohen pambarimisht, gjë që shkakton ndërprerjen e shërbimit të tyre meshtarak.
Po kujtoj këtu, e jo rastësisht, edhe problemin e ndotjes atmosferike. Qeveria e mbylli për tre muaj gjithë industrinë e rëndë, në një rreze prej dyqind kilometrash nga qendra e Pekinit. Masë drastike, për të garantuar ajrin e pastër, themelor për lojërat. Nuk e kuptoj pse nuk merren masa po kaq drastike për t’u siguruar njerëzve një frymëmarrje të shëndoshë edhe për jetën e tyre fetare e shoqërore!?
Gjithsesi, jam i lumtur kur shikoj edhe më të voglën shenjë të hapjes. Kur hyjnë lirisht gazetarët e huaj. Kur pranohen vullnetarë nga mbarë bota në zonat e dëmtuara nga fatkeqësitë e natyrës. Kur kinezët kanë nevojë për mbarë botën e ia hapin portat botës mbarë!
Pesë rrathët olimpikë njihen kudo. Dëshiroj që Kina t’i kushtojë po aq vëmendje pesë aspekteve, pa të cilat nuk mund të merret frymë lirisht: demokracisë, të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës, drejtësisë e paqes!
Po policia ruan akoma pas portës së hapur: mjafton të kujtojmë Ditën e Lutjes për Kinën, më 24 maj. Shumë katolikë donin të shtegtonin në shenjtëroren e Zojës sonë të Sheshanit, në rrethinat e Shangait, po nuk munden, pikërisht për shkak të kontrollit policor.
Atëherë nuk mund të mos pyesim: cili është qëllimi i Lojërave Olimipike? Suksesi kërkon diçka më shumë se medaljet e se vendet e para në botë. Lojërat tregojnë progresin material të Kinës. Po ne, të krishterët, nënvizojmë më shumë progresin shpirtëror. Me Shën Palin, na pëlqen ta krahasojmë shtegtimin tonë shpirtëror me garat sportive, me vrapin drejt cakut, për të marrë “çmimin, që Hyji na përgatiti në Jezu Krishtin” (Fil, 3, 13-14).
Pavarësisht nga publiciteti shurdhues, lutemi që Shpirti Shenjt t’u prijë drejt suksesit të gjithë atyre, që marrin pjesë në këtë garë.







All the contents on this site are copyrighted ©.