2008-08-08 17:56:12

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Kushtetuta civile e klerit shkakton përçarjen e Kishës franceze".


(08.08.2008 RV)RealAudioMP3 “Qytetar, i ri është ky djaloshi që kullot lopët?”.
Rrëzë arës së Martinit, revolucionari vëren të panjohurin duke mjelur lopën”.
“Në djall të vejë, ky maskara, që fut hundët në punët e botës!”, mendon me vete Martini. Mendon kështu, por nuk ia mban ta thotë me zë të lartë. Prandaj, duke e përmbajtur fort veten, përgjigjet:
“Po, është Zhaku, im kushëri”.
“Nuk duket fort i shkathët, ky kushëriri yt”, tallet ushtari, “Pak si tepër vonoka për ta mjelur lopën”.
“Natyrisht”, përgjigjet Martini ‘nuk është mjelës lopësh, por kopshtar. Ka ardhur që kur nga anë e anës, për të më dhënë një dorë në punë”.
“E po mirë, o, mirë, mos u kap kot me mua. Veç një gjë po më lë pa mend sot. Ti që je më katolik se vetë papa, nuk më duket se ngutesh për të shkuar në kishë; e pra mesha është duke filluar”.
“Durim! Do të shkoj të dielën e ardhshme”,
“Po e shoh se ia ke vënë mirë gishtin kokës. Të lumtë!” – brohoret revolucionari me një pamje ngadhënjyese.
Martini mezi ç’pret që revolucionari të largohet, por me sa duket, ky llafazan, nuk e ka ndër mend t’i kthejë majat nga vuri thembrat. Atëherë Martini, tinzash, ia tërheq fort litarin lopës, që lëshon një muallimë të fortë. Kështu mund t’i pëshpërisë shpejt e shpejt Zhakut në vesh:
“Atë, bodrumi është gati për kremtimin e meshës. Janë mbledhur disa familje të fshatit. Duhet vetëm të vishesh”.
Zhaku nuk është bari, e as kopshtar. E aq më pak kushëri i Martinit. Madje nuk quhet fare Zhak. Është meshtar refraktar
Jemi në vitin 1791, kur disa meshtarë nuk pranuan të betoheshin se do t’i qëndronin besnikë qeverisë së krijuar pas revolucinit frëng. U quajtën refraktarë, që në një farë mënyre, do të thotë kundërshtarë. Qeveria shpalli Kushtetutën civile të klerit. Teksti pohonte se Kisha në Francë e kishte për detyrë të mbronte idetë e revolucionit e të shkëpuste çdo lidhje me Selinë e Shenjtë.
Shumë meshtarë nuk e bënë betimin. Kërkesat e revolucionarëve ishin të papranueshme, sepse Kisha duhet të jetë gjithnjë e pavarur nga pushteti politik. Zotëria i Kishës është Hyji, nuk janë politikanët.
Meshtarët që nuk u betuan, jo vetëm që u dëbuan menjëherë nga famullitë e tyre, por u kërcënuan se do të dënoheshin me vdekje, në se do të bindeshin. U detyruan, prandaj, të fshiheshin. Revolucionarët i zevendësuan me të ashtuquajturit ‘të betuarit”, Po ‘refraktarët’ patën besim tek njerëzit, e shumë të krishterë, si Martini, rrezikuan jetën, për të mos i lëshuar në duart e revolucionarëve. Natyrisht priftërinjtë ‘refraktarë’ nuk kënaqen fare për suksesin e tyre, përballë priftërinjve ‘të betuar’, të cilët fituan besimin e qeverisë, por humbën atë të popullit. I trishton pa masë realiteti i Kishës franceze, që u nda më dysh, për shkak të një teksti të gabuar!







All the contents on this site are copyrighted ©.