Sot Kisha kremtoi Shën Sikstin II papë e shokët e tij, martirë
(07.08.2008 RV)Sipas Librit të
Papëve, Shën Siksti u zgjodh në Selinë e Shën Pjetrit në vitin 257, pas vdekjes së
Papës Shtjefni II. Shën Çipriani, që e quan ‘meshtar i mirë e paqësor’, tregon, në
një letër drejtuar ipeshkvit afrikan Suksesit, persekutimin e vitit 258 pas Ediktit
të dytë të Valerianit. Sipas këtij Edikti, ipeshkvijtë, meshtarët e diakonët dënoheshin
me prerjen e kokës, ndërsa Kisha shpronësohej nga çdo pasuri, duke përfshirë edhe
varrezat. Sipas Papës Damasi, Shën Sikstin e kapën pikërisht në varreza, ku po
kumtonte Fjalën Hyjnore. Ka mundësi që ngjarja të ketë ndodhur në katakombet e Shën
Kalistit, që shërbenin edhe si Kishë e nëndheshme, në atë kohë të rëndë persekutimi.
Papa Siksti ishte i shoqëruar nga shtatë diakonë, kur e arrestuan. Nuk i burgosën,
por ua prenë menjëherë kokat, duke shtuar në radhët e shenjtorëve të Kishës katolike,
shtatë emra të rinj: Siksti, Feliçisimi, Agapito, Gjenaro, Manjo, Vinçenci e Shtjefni.
I teti, Lorenci protodiakon, u mbyt tri ditë më pas në rrugën romake Tiburtina. Siksti
II pushon në paqe në varrezën e Shën Kalistit pranë kriptës së Shën Çeçilies.