2008-08-06 17:28:47

Me Nënë Terezën : “Flej vetëm tri orë në ditë”.


(06.08.2008 RV)RealAudioMP3 Emisioni i pestë i ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’, i jep përgjigje një pyetjeje që i bënë një ditë së Lumes shqiptare: ‘Sa orë fle në ditë?’. “Flej vetëm tri orë” është përgjigja, gati e pabesueshme, e kësaj Gruaje, që ishte e jashtëzakonshme deri në gjërat më të zakonshme njerëzore. Por, ta dëgjojmë si ia dilte mbanesh të punonte 21 orë pa pushuar asnjë herë e pa pritur kurrfarë shpërblimi, veç atij që jep Zoti!

“Një ipeshkëv më pyeti në se ishte e vërtetë se flija vetëm tri orë në ditë.
Iu përgjigja se ishte e vërtetë.
Ai vijoi të ngulte këmbë. Donte të dinte si ia dal të punoj, pas një gjumi kaq të pamjaftueshëm.
I thashë:
Nuk kam rrugë tjetër. Nata është e vetmja kohë, që më mbetet për të punuar, për të menduar për motrat, për të shkruar, për të programuar në vija të përgjithshme punën time.
Kur, në vitin 1969, përuruam shtëpinë tonë në Melburn, pati nga ata që thanë se në një vend të pasur, si Australia, me një ligjshmëri shoqërore tepër të përparuar, sigurisht që nuk do të kishte vend për ne.
Sipas tyre, atje nuk kishte lagje mjerimi, as njerëz të braktisur. Aq më pak, të vdekur në mes të rrugës.
U përgjigja:
Siii, nuk paska punë për ne në Australi? E kush i ndihmon kriminelët, kur dalin nga burgu? Kush merret me gratë e tyre e me fëmijët e tyre? E me ata që drogohen e alkoolizohen? A nuk janë edhe ata bij të Zotit? Thua s’kanë nevojë të paktën për një fjalë të mirë, për një këshill?
Ja pra, pse më duhet të fle vetëm tri orë! Nuk mund ta kaloj kohën në gjumë, kur kaq shumë njerëz kanë nevojë për ndihmë! E kur Krishti vetë më zgjon nga gjumi pikërisht tri orë pasi kam rënë për të pushuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.