2008-08-05 19:42:40

Papa uron që Lojërat Olimpiada e Pekinit të japë shembull me vlerë të bashkëjetesës ndërmjet njerëzve


(04.08.2008 RV)RealAudioMP3 Bukuria e bjeshkëve e pritja festive e besimtarëve dhe e turistëve, ishin korniza në të cilën u kremtua lutja e parë e Engjëllit të Tënzot e Benediktit XVI në Bresanone: “Dielli e drita e tij, ajri që thithim, uji, bukuria e tokës, dashuria, miqësia, vetë jeta – tha Papa – janë pasuri kryesore. Nuk mund t’i blejmë, por na dhurohen; janë gjëra – shtoi Ati i Shenjtë– që nuk mund të na i marrë askush; që asnjë diktaturë, asnjë forcë shkatrrimtare nuk mund të na i grabisë.
Benedikti XVI përshëndeti edhe sportistët që do të marrin pjesë në Olimpiadën e ardhshme të Pekinit, duke u uruar të arrijnë rezultatet e dëshiruara, në frymën e vërtetë të garave olimpike. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë foli për Palin VI, që do të përkujtohet pasnesër, në 30 vjetorin e vdekjes.
Benedikti XVI rikujtoi mbrëmjen e 6 gushtit 1978, festa e Shndërrimit të Jezusit, kur Papa Pali VI u kthye në shtëpinë e Atit qiellor. “Si Kryebari i Kishës, Pali VI – tha Ati i Shenjtë – i priu popullit të Hyjit në kundrimin e fytyrës së Krishtit, Shëlbues i njeriut e Zot i historisë:
E pikërisht orientimi i mendjes e i zemrës drejt Krishtit, ishte një nga bazat e Koncilit II të Vatikanit, qëndrim themelor, të cilin paraardhësi im i nderuar Gjon Pali II e trashëgoi dhe e vijoi në Jubileun e madh të Vitit 2000. Në qendër të çdo gjëje është gjithnjë e gjithherë vetëm Krishti: në qendër të Shkrimeve Shenjte e të Traditës, në zemër të Kishës, në botë e në mbarë universin”.
Provania Hyjnore – shtoi Benedikti XVI - e thirri Gjon Batista Montinin nga katedra e Milanos, në atë të Romës, në çastin më delikat të Koncilit, kur intuita e të Lumit Gjoni XXIII rrezikohej të mos merrte formë:
Si të mos e falënderojmë Zotin për veprimtarinë e tij baritore guximtare? Në sa, me kalimin e kohës, vështrimi ynë mbi të kaluarën bëhet më i gjërë e më i vetëdijshëm, duket gjithnjë më e madhe, pothuajse mbinjerëzore, merita e Palit VI në udhëheqjen e Takimit të madh konciliar, të cilit i priu me suskes deri në fund, duke e drejtuar edhe në fazën e shqetë të pas-Koncilit”.
Mund të themi vërtetë – pohoi Benedikti XVI – se hiri i Hyjit në Palin VI nuk qe i kotë: vlerësoi dhantitë e spikatura të zgjuarësisë së tij dhe dashurinë e pasionuar për Kishën e për njeriun:
“Ndërsa falënderojmë Zotin për dhuratën e këtij Pape të madh, impenjohemi për t’i bërë tonat mësimet e tij të çmuara”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti organizatorët e sportistët e Olimpiadës, që do të hapet në Pekin të premten e ardhshme, duke uruar që secili të arrijë rezultatet e dëshiruara, në frymën e vërtetë të garës:
“E ndjek me simpati të thellë këtë takim të madh sportiv – më i rëndësishmi e më i prituri në nivel botëror – e uroj që t’i japë bashkësisë ndërkombëtare një shembull me vlerë të bashkëjetesës ndërmjet njerëzve me prejardhje të ndryshme, që respektojnë dinjitetin e përbashkët. Uroj edhe një herë që sporti të jetë peng vëllazërimi e paqeje ndërmjet popujve”.
Duke iu drejtuar besimtarëve, Papa përshëndeti edhe në gjuhën ladine:
I recordi con ligrëdza…
“Kujtoj me kënaqësi se Bredhi i Krishtlindjes për Sheshin e Shën Pjetrit vinte nga Val Badia. Zoti i bekoftë luginat tuaja. Ruajeni gjithmonë, sipas shembullit të Shën Jozefit nga Oaz – besimin për Zotin e për Kishën”.
Para se Papa të kremtonte lutjen mariane, ipeshkvi i Bolxano-Bresanones, imzot Vilhelm Eger, kryesoi Meshën shenjte. Gjatë homelisë, prelati nënvizoi se “Jezusi na jep edhe ushqimin për shpirtin. Ne, njerëzit, shtoi, kemi nevojë të madhe të kuptojmë domethënien e jetës; e po aq e madhe është edhe dëshira jonë ta kemi gjithnjë pranë Zotin. Jezusi – shpjegoi ipeshkvi – e shuan këtë uri, duke kumtuar se Hyji është pranë nesh si atë e se ne jemi vëllezër e motra me njëri tjetrin.
Ndërsa, pas lutjes mariane, e më saktësisht, pasditen e djeshme, Papa vizitoi një Kishëz në zonën e Shën Andreut, ku u ndalua për t’u lutur disa minuta.







All the contents on this site are copyrighted ©.