2008-08-05 19:29:26

Papa sot në Val Badia për të nderuar Shën Jozefin Frainademec, misionar në tokën kineze.


(05.08.2008 RV)RealAudioMP3 Besimtarët e Val Badisë sot pasdite patën fatin të kenë në gjirin e tyre Benediktin XVI, që arriti në fraksionin e Ojes për të nderuar një nga bijtë më të ndritur të këtyre trojeve: Shën Jozefin Frainademec, misionar në Kinë në shekullin XIX. Është vizita e parë zyrtare në Alto Adigje, që të hënën, më 28 korrik, kur Ati i Shenjtë arriti në Bresanone për një periudhë pushimi prej dy javësh. Për rëndësinë e kësaj vizite dhe të figurës së Shenjtit, na flet drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Atë Federiko Lombardi, me telefon nga Bresanone:

Përgjigje: - Frainademec është shenjt i madh i kohëve moderne, bir i kësaj toke. Katolikët janë shumë krenarë për këtë figurë, sepse duke u nisur prej këtu, prej bjeshkëve të Dolomiteve, prej një vendi tepër të vogël, ia doli mbanesh të shkonte larg, ta çonte fjalën e Zotit deri në një vend të madh, si Kina. Bëri një udhë të vështirë shpirtërore, si në aspektin e virtyteve, ashtu edhe në aspektin kulturor, dmth duke kapërcyer distancën e pafundme ndërmjet kulturës së maleve të Syd Tirolit e Kinës.

 
Pyetje: - Morën pjesë edhe besimtarët në këtë kremtim?

 
Përgjigje: - Po: gjëja më e bukur është se, duke qënë njoftuar pak më përpara, u bë një ngjarje e madhe jo vetëm për devocionin privat të Atit të Shenjtë, por edhe për gjithë popullsinë e vendit. Papa arriti me helikopter në shtëpinë ku lindi Frainademec, që ndodhet në një fshat të vogël, në fraksionin Ojes të komunës së Badisë. Pastaj duke dalë nga kjo shtëpi tipike për këtë tokë, Papa hyri në një Kishë mjaft të madhe pranë shtëpisë së lindjes së Shenjtit. Në Kishë e pritën shumë njerëz. Papa u drejtoi përshëndetjen. Ishte një ngjarje që nuk zgjati shumë, por gjithsesi u kthye në festë të vërtetë për Val Badinë.

 
Pyetje: - Pas urimit për Olimpiadën në Engjëllin e Tënzot të së dielës, tani nderimi për një misionar të lidhur ngushtë me trojet kineze. Kina është shumë e pranishme në mendimet e Atit të Shenjtë, edhe në këtë periudhë pushimi…

 
Përgjigje: - Kina është e pranishme në Kishën universale. Është popull i rëndësishëm për mbarë njerëzimin e, natyrisht, edhe për kumtimin e Fjalës së Zotit, prandaj Kisha e ka gjithnjë zemrën të drejtuar nga Kina, e po kështu edhe Ati i Shenjtë. E në këtë drejtim figura e Frainademec është vërtetë e rëndësishme. Arriti ta njohë e ta vlerësojë aq kulturën kineze, sa u bë tepër i dashur për vetë kinezët, duke u kthyer në një figurë simbolike, që na kujton mundësitë për t’u kuptuar, për të dialoguar, për t’i përcjellë një mesazh shpirtëror Kinës, duke respektuar thellësisht kulturën e jashtëzakonshme të këtij vendi.







All the contents on this site are copyrighted ©.