Imzot Gjon Nikollë Kazazi në 256- vjetorin e vdekjes
(05.08.2008 RV)Gjon Nikollë Kazazi
lindi në Gjakovë, më 1 janar 1702. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet
teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, i vazhdoi në Kolegjin e Shën
Palit në Fermo e i kreu ne Kolegjin Ilirik të Loretos, ku studioi gramatikë, retorikë
e filozofi. I nisi studimet kur ishte djale i ri, 18 vjeç; i kreu në vitin 1727,
kur mori edhe titullin doktor në filozofi e teologji. Po atë vit u shugurua meshtar.
41 vjeç do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit. Sapo u kthye, kryeipeshkvi Mikel Suma,
e emëroi misionar ne Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni ne Gjakovë, për shërbim baritor,
të cilin e kreu se bashku me dom Anton Teodorin. Me që dallohej per zgjuarsi
dhe aftësi te veçantë, imzot Suma e emëroi dom Gjonin vikar të përgjithshëm.
Pas largimit të imzot Mikel Sumës nga kryeipeshkvia e Shkupit, ishte Gjon Kazazi ai
që e drejtoi atë kryeipeshkvi nga viti 1737. Me propozimin e Imzot Vinçenc Zmajeviqit,
Kazazi u emërua vizitator apostolik i kryeipeshkvisë së Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopolit,
në Bullgari. Me 23 shtator 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi imzot Gjon Nikollë Kazazin
kryeipeshkv i Shkupit. Palion e mori në Romë, me 16 dhjetor 1743. Gjatë qëndrimit
në Romë, në vitin 1743, imzot Kazazi zbuloi ne Bibliotekën e Propagandës Fide të vetmin
ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, botuar
ne vitin 1555. Po atë vit, 1743, botoi edhe katekizmin e tij: "Breve Compendio
della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l'utilità, e istruzione dei
Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia Alunno della S. Congregazione"
shtypur ne Romë nga "Stamperia della S. Congregatione de Propaganda Fide."Kryeipeshkvi
Gjon Kazazi shkoi disa herë në Romë për vizitë "ad Limina Apostolorum". Pranë Varreve
të Apostujve u gjunjëzua për herë të fundit në vitin 1750 Kryeipeshkvi i Shkupit
vdiq me 5 gusht te vitit 1752, duke lënë gjurmë të pashlyera ne historinë e Kishës
shqiptare, si bari e edukator i klerit; e të albanologjisë, si zbulues i parë i librit
më të vjetër të shtypur, që njihet deri me sot.