2008-08-05 19:34:33

Me Nënë Terezën: “Erdha ateist, po shkoj besimtar”.


(05.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në emisionin e katërt të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’, e Lumja shqiptare na flet për kthimin e një ateisti në fenë e Krishtit . ‘Erdha ateist, po shkoj besimtar’ – titullohet tregimi i saj i sotëm:

“Motrat bëjnë gjëra të vogla. Krejt të vogla. Ndihmojnë fëmijët, vizitojnë të vetmuarit, të sëmurët e ata që nuk i do askush.
Në një nga shtëpitë, ku ishin për vizitë, gjetën një grua që kishte vdekur prej dy ditësh.
Motrat e kuptuan se kishte vdekur, nga që trupi po kalbej e lëshonte një erë të padurueshme. Fqinjët nuk e dinin as si quhej.
Kur ndokush më thotë se motrat e mia nuk bëjnë ndonjë gjë të madhe, e aq më pak të rëndësishme, se merren me punë të vogla, pa pikë vlere, u përgjigjem se mjafton të ndihmojnë një njeri të vetëm. Jezusi vdiq edhe për një njeri të vetëm, edhe për një mëkatar të vetëm.
Nuk mund ta harroj kurrë: një herë në Shtëpinë tonë për njerëzit në prag të vdekjes, në Kalkutë, erdhi një ateist.
Pak minuta para se të vinte, disa njerëz kishin sjellë brenda një lypsar, që po vdiste në mes të rrugës. Ndosha e kishin gjetur në ndonjë kanal, ose mbi ndonjë grumbull plehu, sepse ishte i mbuluar me krimba.
Një nga motrat nisi menjëherë të kujdesej për të, pa u kujtuar fare se dikush po ndiqte çdo lëvizje të saj, po vërente si e prekte të sëmurin, si e shikonte, si i buzëqeshte, si ia kthente vështrimin e fundit njerëzor në sytë, që po shuheshin për dritën e kësaj bote.
Rastësisht u ndodha edhe unë aty.
Ateisti rrinte si i ngrirë në këmbë e vijonte ta shikonte me ngulm motrën.
Kur më pa, erdhi drejt meje e më tha:
“Erdha këtu pa Zot. Pashë dashurinë e Zotit në veprim. E pashë në duart e kësaj motre, në fytyrën e saj, në dashurinë e saj për këtë varfanjak të krimbur. Po, Nënë, tani edhe unë besoj!”.
Mund t’ju siguroj se nuk e njihja fare. Aq më pak e dija se ishte njeri i pazot, ashtu si nuk e dija se do të nisej nga ne me pasurinë më të madhe në zemër: Zotin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.