2008-08-05 19:36:33

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Benedikt Jozef Labre, vagabondi i Zotit".


(05.08.2008 RV)Është e Mërkurja e Madhe e vitit 1783 e popullsia e Romës qan për shenjtin e vet, vagabondin e Zotit. U këput mbi shkallaret e Shën Mërisë në Monti e pak orë më vonë, dha shpirt. Ishte vetëm tridhjetë e pesë vjeç. Djaloshi, që sapo vdiq, vinte nga Franca. Një ditë të bukur të vitit 1777 vendosi të nisej për në Romë, duke marrë me vete vetëm një trastë plot me vrima. Në fillim nisi të banonte në strehën e Shën Luigjit të francezëve, por më pas ky vend iu duk tepër i bukur e kështu zgjodhi si banesë, një vrimë muri.
Që nga ky çast, popullsia e Romës nisi ta njihte e ta dallonte edhe nga larg lypsin e veshur me rrecka, që lëshonte një erë të padurueshme. Nuk kishte asgjë mbas shpirtit e mjaftohej të lypte vetëm për të ngrënë. E sapo ndokush i lëshonte në shuplakë ndonjë monedhë, vraponte t’ia falte vagabondave të tjerë. Dukej se nuk dëshironte të kishte asgjë. Kështu, pak nga pak, pavarësisht nga ndyrësia dhe era e keqe, që të tërbonte, romakët nisën ta duan e të bisedojnë me kënaqësi me të. I rrinin pranë, kur kalonte orë e orë në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament, e ndiqnin pas, kur bënte Udhën e Kryqit. Kudo shkonte, tërhiqte pas vetes turma të tëra njerëzish, me rrezatimin e fesë së vet. Aventura e çmendur e Benedikt Jozef Labresë - ky ishte emri i tij – filloi më 2 korrik 1770. Djaloshi ishte 22 vjeç kur u largua nga manastiri, për ta jetuar thirrjen e tij të vërtetë. Hyji e thirri të shkonte rrugëve, të shkëputej nga gjithçka, të bëhej vagabondi i Zotit.
Që i vogël, Benedikt Jozefi kërkonte absolutin, por e ndjente se Zoti nuk e thërriste të bëhej prift. Më vonë deshi të bëhej murg e ndërroi disa manastire. Por më kot, Zoti nuk e donte në asnjërin prej tyre. E kështu nisi jetën endacake. Zgjedhja e kësaj rruge të lë pa mend. Ndërsa shekulli i iluminizmit vë në plan të parë studiuesit, artistët, jetën intelektuale, i riu Benedikt Jozef Labré zgjedh rrugën e njeriut pa emër, pa zë, pa asgjë mbas shpirtit. Prandaj njerëzia i kushtojnë kaq shumë vëmendje… Sepse, ndërsa të mëdhenjtë e kësaj bote kënaqen duke u marrë me fjalimet e me dijet e veta, Benedikt Jozefi i kujton njerëzimit se në këtë epokë, në të cilën sundon arsyeja, ekziston edhe një popull i thjeshtë, por plot fe, të cilit i premtohet Mbretëria e Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.