2008-08-04 17:44:55

Vdiq Aleksandër Sollzhenicin, përfaqësuesi më i shquar i disidencës sovjetike.


(04.08.2008 RV)RealAudioMP3 Zi në botën e kulturës. Shkrimtari Rus, Aleksandër Sollzhenicin, lindur në vitin 1918, Nobel për Letërsinë më 1970, vdiq gjatë natës në shtëpinë e tij në Moskë. Ishte 89 vjeç.
Figurë e madhe e disidencës sovjetike, që guxoi t’i kundërvihej Stalinit gjaktar, shkroi veprat kryesore kushtuar kampeve të përqendrimit, ndërmjet të cilave, kryevepra “Arkipelagu Gulag”, trilogji, gjysëm autobiografike e gjysëm historike, përkthyer jashtë Rusisë, në vitin 1974, përkthim që i kushtoi shkrimtarit njëzet vjet internim. Më pas edhe dëbimin nga vendi. Atëherë disidenti i madh shkoi në Zvicërr e më pas në SHBA.
Sollzhenicin, që u takua me Gjon Palin II në tetor 1993, i rikthyer në atdhe pas ndryshimeve të viteve ’90, vijoi t’i kundërvihej regjimit të ri, duke vërejtur se nuk mund të flitet për kërcënime kundër demokracisë, në një vend ku demokracia nuk ekziston fare.
Ikonë e disidencës sovjetike dhe e antikomunizmit, me vdekjen e Aleksandër Sollzhenicinit, letërsisë ruse do t’i mungojë shkrimtari më i madh bashkëkohor, njeriu që me guxim të pashoq e dashuri të pakufishme për të vërtetën, i tregoi botës turpin e Gulagëve, kampeve të përqendrimit, ku vdiq ajka e mendjes ruse. E ai e njohu nga afër këtë realitet, ku jetoi tetë vjet, i akuzuar si tradhtar i Atdheut në vitin 1945 e ku lindën veprat, që do t’i siguronin çmimin Nobel.
Shkrimtari i madh rus do të varroset të mërkurën e ardhshme në manastirin Donskoj të Moskës, vend që e zgjodhi vetë pesë vjet më parë. Sipas Agjensisë Interfax, zëdhënësi i Patriarkanës së Moskës njoftoi se trupi i autorit të ‘Arkipelagut Gulag’ është vendosur në katedralen e manastirit për salikimet.
Kujtojmë se Sollzhenicin ishte i krishterë praktikant.







All the contents on this site are copyrighted ©.