T’u sigurohen mjekimet të gjithë të sëmurëve nga Sida: objektiv i Konferencës ndërkombëtare,
që u hap dje në Qytetin e Meksikos.
(04.08.2008 RV)Çdo ditë në botë
më se 6. 500 njerëz infektohen nga virusi Hiv. Më 2007 numri i të prekurve dhe i të
sëmurëve nga Sida, arriti në 33 milionë vetë. Përballë kësaj plage, bashkësia ndërkombëtare
synon të sigurojë mjekimin për të gjithë dhe ndalimin e epidemisë. Pikërisht për të
analizuar këto objektiva, u hap dje në Qytetin e Meksikos, Konferenca Ndërkombëtare
mbi Sidën, në të cilën, përveç specialistëve të kësaj fushe, marrin pjesë edhe delegacione
katolike. Për këtë pjesëmarrje - në mikrofonin tonë, imzot Robert Vitilo, këshilltar
i posaçëm për Sidën pranë Karitasit Ndërkombëtar, me telefon nga Qyteti i Meksikos:
Përgjigje:
- Si Karitas Internationalis kemi një delegacion të madh, që merr pjesë
në këtë Konferencë. Përbëhet kryesisht nga veprimtarë të Karitaseve prej vendeve të
Amerikës Latine. Ky takim na krijon mundësinë të mësojmë diçka më shumë në aspektin
mjekësor, shkencor e shoqëror. E kjo, sepse sëmundja e Sidës, përbën një problem të
rëndë për mbarë botën. Kemi bërë shumë përparime në furnizimin e njerëzve me ilaçet
e nevojshme: tashmë 30 % e të sëmurëve, që kanë nevojë, i sigurojnë këto ilaçe.
Por mbetet akoma shumë për të bërë: kryesorja, sensibilizimi dhe edukimi i njerëzve.
Pyetje:
- Mund të themi, prandaj, se arma më e fortë është ajo e informacionit,
e transmetimit të vlerave për parandalimin e kësaj shuplake….
Përgjigje:
- Nuk mjafton vetëm të japësh informacion: njerëzit duhen edukuar: duhen
transmetuar vlerat e respektit të njeriut për trupin e vet e atë të të tjerëve….
Pyetje:
- Kisha impenjohet në vijë të parë të fronit për të edukuar, por nuk mungon
edhe atëherë, kur është fjala për të ndihmuar drejtpëdrejtë…
Përgjigje:
- Kisha është gjithnjë pranë njerëzve të sëmurë me Sidë; spitalet tona,
shërbimet tona shoqërore, kanë qenë e janë pranë këtyre njerëzve. Tani duhet bërë
më shumë, sepse Sida ndikon shumë jo vetëm mbi shëndetin, por edhe mbi strukturart
shoqërore.
Pyetje: - Do të bëni ndonjë
propozim konkret gjatë Konferencës?
Përgjigje:
- Kemi promovuar një fushatë informacioni për problemet e veçanta që kanë
fëmijët e sëmurë me Sidë; duhet të gjejmë mjetet e nevojshme për t’u siguruar mjekimet
e përshtatshme. Ky është, sot për sot, problemi e propozimi ynë kryesor.