2008-08-04 17:45:24

Me Nënë Terezën :“Ne nuk merremi me politikë”.


(04.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në emisionin e tretë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’, e Lumja shqiptare prek një nga problemet më të mprehta, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Kongregatës së themeluar prej saj, e cila vepron edhe në vende me regjime diktatoriale, antifetare: atë të impenjimit të klerit në politikë. ‘Ne nuk merremi me politikë’ – titullohet tregimi i saj i sotëm:

“Nisëm veprimtarinë në Filipine. Kur arritëm, gjetëm tri shtëpi të gatshme për banim: një për fëmijët, një tjetër për njerëzit në prag të vdekjes e një për motrat.
Pak para se të hapej shtëpia, nëntë të rinj kërkuan të hyjnë në Kongregatë.
Në këtë vend, disa priftërinj e rregulltarë janë në burg, për shkak se i kundërvihen qeverisë së Ferdinando Markos.
Kush komandon, nuk duron kritika.
Prandaj ne i shmangemi çdo lloj veprimtarie politike.
Herën e parë që shkova në Etiopi, një meshtar vendas më tha:
“Motrave tuaja u mungojnë përgatitja e kualifikimi. U mungon kryesorja”.
E dëgjova e heshta. Nuk përgjigjemi kurrë, kur na kritikojnë. Bëjmë çmos të punojmë sa më mirë që mundemi, duke i lënë veprat tona të flasin për ne.
Tani, po ky prift, na thotë:
“Ju po e shpëtoni Kishën në këtë vend. Të gjithë meshtarët e rregulltarët po dëbohen që këtu. Vetëm ju ju pranojnë me kënaqësi”.
E kjo është aq e vërtetë, sa po na kërkojnë të hapim qëndra të reja.
Ne nuk duam të ngatërrohemi me politikë.
E vetmja gjë që dëshirojmë, është të bëjmë punën tonë për Krishtin.
Isha një herë në Adis Abeba, kryeqytet i Etiopisë, në një kohë kur qeveria po i dëbonte misionarët e huaj, pas një paralajmërimi të bërë pak orë më parë.
Kryeministri më siguroi:
“Do të duhej t’i dëbonim të gjithë, por nuk mund të lejoj që motrat tuaja të ikin nga vendi ynë, sepse më kanë njoftuar, por e kam parë edhe me sytë e mi, se ju i doni të varfërit e punoni për ta”.
Siç dihet, pas revolucionit, që rrëzoi perandorin e Etiopisë nga froni, këtu u vendos regjimi komunist.
Gjatë qëndrimit tim këtu, shkova tek një ministër, për t’i kërkuar truallin e përshtatshëm për një spital, në zonën ku punonim ne.
Ministri më tha:
“Këtu jemi në regjimin komunist e besojmë se asistenca e të sëmurëve është detyrë që i takon shtetit e jo individëve ose grupeve të veçanta.
Iu përgjigja: “Po ju nuk po e kryeni këtë detyrë!”.
“Po, është e vërtetë – pranoi ministri – Prandaj do t’ju ndihmoj ta siguroni truallin e nevojshëm për spitalin tuaj…
Kështu tani mund të merremi me të sëmurët…
Prandaj nuk merremi me politikë, sepse merremi me të sëmurët, dmth me Krishtin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.