2008-08-03 11:44:44

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(03.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën XVIII të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.
U përkujtua edhe Shën Lidia, dishepulle e Shën Palit.

Më mëso, o Zot, ta mbroj me guxim të vërtetën e të mos jem profet i rremë, si shumë njerëz të kohëve tona. Bëj ta dëgjoj zërin tënd, të jetoj me forcën e fesë e ta kapërcej, kështu, qetësisht, detin e trazuar të jetës tokësore. Këtë na kujtojnë Shenjtorët Gjon Maria Vianej, famullitar i Arsit, Pajtor i klerit dhe Justini e Kreshenci, martirë, që do të kremtohen të hënën.

 
Çdo bimë që nuk është mbjellur nga Ati qiellor, do të shkulet, sepse vetëm Ai e ka në dorë fatin tokësor të bijve të vet. Është ky reflektimi që buron nga liturgjia e së martës, në festën e kushtimit të bazilikës së Shën Marisë së Madhe në Romë, që njihet edhe si festa e ‘Zojës së Borës’.

Të mërkurën do të kremtohet Shëndrimi i Zotit. Festa të kujton se duke u shndërruar, Krishti na siguron se është Biri i Hyjit. Përmbush kështu historinë e shëlbimit, duke na bërë edhe ne pjesëtarë të jetës së vet të pasosur.

Duke i a besuar Pjetrit çelësat e qiellit, Krishti lidh një besë të re me njerëzit, si Bir i Zotit të gjallë. Këtë na kujton liturgjia e së enjtes, në festën e Shën Sistit II papë, shokëve të tij, martirë dhe Shën Gajtanit të Tienës, themelues i Teatinëve.

Të premten do të kremtohen Shën Deda Guzman, meshtar, themelues i Urdhërit të Predikatarëve dhe Shenjtorët Qiriaku, Largu e Smaragdi, martirë. Na kujtojnë se Zoti i shpëton bijtë, që e ndjekin duke mbartur kryqin e vet dhe i liron nga njerëzit e mbrapshtë.

Liturgjia e festës së Shën Tereza-Benediktës së Kryqit (Edit Shtain) virgjër e martire, Pajtore e Evropës, që do të festohet të shtunën, na kujton se kush e ndjek Zotin në dritën e fesë, si virgjërat e urta të Ungjillit, do të hyjë në dasmën e Krishtit dhëndërr, për të shijuar, në amshim, pemën e jetës.

Të dielën e ardhshme Kisha do të vijojë liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën XIX të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.