2008-08-03 11:43:17

Nga Kisha nëpër Botë


(03.08.2008 RV)Kerela: kardinali Vithajathil mbron familjet me tre fëmijë
Kardinali Vithajathil kundërshton masat kundër familjeve me tre fëmijë, ideuar nga Komisioni për Reformat ligjore në Shtetin indian të Kerelasë, kundështuar nga masa e popullsisë së krishterë vendase. “Edhe të varfërit e dinë mirë se fëmija është dhuratë e Hyjit” - nënvizon kardinali Vithajathil dhe në vijim thekson se Kisha katolike në Kerela tashmë është një forcë, zëri i së cilës nuk mund të mos dëgjohet”.

Konferenca ipeshkvnore kiliane kërkon garantimin e pushimit të së dielës
“Një projekt, që garanton pushimin e së dielës, do të jetë kontribut i frytshëm për pasurimin e jetës familjare”. Këtë ripohuan para Senatit të Kilit specialistët e Konferencës ipeshkvnore kiliane. “E diela – vëren Konferenca ipeshkvnore – është zemra e jetës së krishterë, prandaj duhet respektuar, duke u krijuar të gjithëve mundësinë ta jetojnë si Ditë kushtuar vetë Zotit, e jo si ditë e zakonshme pune, siç ndodh shpesh në Kili, ku njerëzit, për shkak të varfërisë, detyrohen të punojnë pa asnjë ditë pushimi. Prandaj, kur flitet për pushimin e së dielës, nënkuptohet edhe krijimi i kushteve më të mira të jetesës në vend.

Karitasi impenjohet në ndihmë të popullsive të dëmtuara nga përmbytjet në Evropën Lindore
Vijojnë ndihmat e Karitasit në zonat e Evropës lindore, të dëmtuara para pak ditësh, nga shira të rrëmbyera, me pasojë përmbytjen e fshatrave të tëra. Dhjetra njerëz gjetën vdekjen, mijëra mbetën pa strehë. Në Rumani, ku Karitasi shpërndau një sasi të madhe ndihmash, kryesisht ushqimore, vetëm nga fshati i përmbytur Buruienesti janë larguar 2 mijë vetë. Një gjendje e tillë vërehet edhe në Ukrainë e në Moldavi, ku Karitasi vijon të ndihmojë me prodhime ushqimore e ilaçe.

Universiteti i Betlehemit, nën drejtimin e Vëllezërve të Shkollave të Krishtera, është pikë referimi për formimin e të rinjve në Tokën Shenjte.
Në Tokën Shenjte, Universiteti i Betlehemit, themeluar e drejtuar nga Vëllezërit e Shkollave të Krishtera, është institucioni katolik kryesor, që punon për formimin e të rinjve, në një qytet që vijon të jetë i ndarë me mur në dy pjesë. Pa marrë parasysh pengesat e të gjitha natyrave, krijuar nga regjimi ushtarak, më se 500 të rinj palestinezë vijojnë sot studimet në këtë universitet. E deri tani pranë kësaj shkolle të lartë janë diplomuar më se 11 mijë studentë.

Ftesë e Bashkësisë së Tezesë drejtuar të rinjve të mbarë botës
Mijëra të rinj vendosin t’i kalojnë pushimet e verës pranë Bashkësisë së Tezesë, në Francë. Bashkësia, e themeluar nga Vëllai Rozhe, mikpret çdo javë rreth 3-4 mijë të rinj ardhur nga mbarë bota. Të rinjtë shkojnë të vizitojnë kodrën e Tezesë, për të marrë pjesë në takimet e lutjes, organizuar nga bashkësia tri herë në ditë, në Kishën e Pajtimit. Më 16 gusht bashkësia do të kremtojë tre vjetorin e vdekjes së Vëllaut Rozhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.