2008-08-03 11:45:13

Atë Jak Gardin në 12 vjetorin e vdekjes


Shumë gjëra i kujton shqiptarëve emri Atë Giacomo Gardin (24 shtator 1908 – 3 gusht 1996), i njohur si Pater Jaku. I kujton Meshtarin e devotshëm, me cilësi të jashtzakonshme për ta predikuar e për ta jetuar Ungjillin e Krishtit. I kujton misionarin që u bë një me popullin, të cilit kishte shkuar t’i shërbente, që ndau me këtë popull të mirën e të keqen, që vuajti për të, që e deshi aq, sa as sëmundja e as mosha e shtyrë nuk e penguan të ishte ndër të parët që u kthyen, kur u duk se po vinte pranvera e lirisë. Emri i Atë Gardin-it i kujton shqiptarëve mësuesin e shquar, që për dhjetë vet rresht dha mësim në Kolegjin e famshëm të Jezuitëve. I kujton njeriun e ekumenizmit, që edukoi vëllazërimin e dashurinë ndërmjet njerëzve, pa dallim besimi. E i kujton edhe autorin e veprës “Dhetë vjet burgim në Shqipní”, një ndër dëshmitë më të njohura mbi martirizimin e klerit e të popullit shqiptar, që u shkrua e u botua kur Atdheu i dytë i jezuitit misionar rënkonte ende pas perdes së hekurt. Përmes kësaj vepre Meshtari katolik tregonte me gisht para botës krimet e diktaturës komuniste.
Vepra në gjuhën italiane u botua më 1986 në Romë nga “Civiltà Cattolica”, në gjuhën angleze, më 1988 në SHBA dhe në gjuhën shqipe, më 1992, po në Romë. Vepra është përkthyer edhe në gjuhën kroate.
U shkrua pas kërkesave këmbëngulëse të eprorëve, të cilët me të drejtë mendonin se ishte detyrë e atyre që kishin vuajtur ndër burgje e kampe përqëndrimi të dëshmonin me shkrim para popullit shqiptar e para botës se tmerret e diktaturës nuk kanë qenë një legjendë, se puthadorët e saj, janë njollosur aq shumë me gjak të pafajshëm, sa nuk i lan dot as ujët e oqeaneve!
E Atë Gardini ishte i fundmi jezuit që delte i gjallë nga ai kamp përqëndrimi, në të cilin e kishin shndërruar komunistët Shqipërinë. Po ndërsa ai kthehej përsëri në jetë, përtej brigjeve të detit vëllezërit e tij, jezuitët shqiptarë, jetonin të shkapëndarë, të fshehur, gjithnjë me rrezikun e vdekjes mbi kokë. Nuk kishte më as shtëpí rregulltarësh, as vepra të rregulltarëve; kishte mbetur vetëm kujtimi i njerëzve, kujtim tepër i gjallë e ngacmues për një misionar si Atë Gardin-i, që kishte shkrirë jetën pranë tyre. Provinca rregulltare e Italisë vite me radhë pati dëguar në Shqipëri njerëz shumë të përgatitur dhe pati nisur vepra apostolike që kishin një rëndësi të dorës së parë për katolikët dhe për mbarë popullin. Pastaj, pa pritur gjithçka u ndërpre dhe u shlye nga një ideologji, e cila ushtronte ateizmin më të pamëshirshëm. Misoni shqiptar u shpërnda. Nuk dihej më kush ishte gjallë e kush kishte vdekur. Dukej se gjithçka kishte marrë fund një herë e përgjithmonë. Po në heshtje Zoti përgatiste rikthimin e tij! Edhe Shqipëria u detyrua të ulte kokën para logjikës së historisë e të hiqte dorë nga marrëzia që për një gjysëm shekulli e kishte mbajtur të burgosur.
Këto gjëra mësojmë nga libri i Atë Gardin-it, që është konceptuar në pesë kapituj, të cilët flasin për: Arrestimin e proçesin; Gjendjen e Kishës; Burgun; Kampin e pëqëndrimit dhe përfundimin e burgimit, ngjarje që shtrihen në vitet 1945-1955.
Libri mbyllet me predkun e atë Gardin-it në Meshën solemne të Paqës me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të salvimit fetar në Shqipëri, kremtuar në Kishën e Shën Injacit në Kaliforni më 13 prill 1985, pas të cilit radhitet Letra që Shenjtëria e Tij, Gjon Pali II i drejton Atë Gardinit si dhe epilogu i veprës.
Është një rrëfim i thjeshtë e i sinqertë, i shkruar me ton të butë, pa kurrfarë ndjenje urrejtjeje apo dëshire hakmarrjeje për salvimin e padrejtë. Jezuiti nuk mëton të shkruajë historinë e këtyre viteve të zymta e të pëgjakshme, të gjykojë fakte e persona, e as të analizojë gjendjen e të krahasojë ideologjitë; ai ka për qëllim vetëm të shprehë përvojën e vet, përshtypjet e veta. E di mirë se nuk është duke treguar ngjarje të bujshme historike, por beson se tregimi i përvojës së vuajtjeve të tij njerëzore, do ta ndihmojë lexuesin të kuptojë se ç’ngjet gjithnjë në botën e sotme. Nga ana tjetër i kujton detyrën që të përpiqet për të shëruar sëmundjet e rënda nga të cilat vuan bota e sotme.
Gjatë tregimit, autori përshkruan shumë klerikë e laikë të tjerë katolikë që vuajtën bashkë me te, sidomos ata që flijuan jetën në elterin e fesë, të lirisë e të atdheut.
“Kujtimi i gjakut të derdhur nga martirët e asaj periudhe të tmerrshme për Kishën katolike shqiptare, si dhe kujtimi i vuajtjeve të pësuara nga Atë Gardin-i e nga shumë dëshmitarë të tjerë të fesë- siç shkruan Papa Gjon Pali II më 5 tetor 1980,- i ndihmon Kombit të varfër në kamje, por tepër të pasur në tradita qytetare e fetare, të shembur përdhe nga përsekutimi i egër dhe i gjatë, por të lartësuar nga dëshmitë e martirëve të vet, tani që ka kaluar provën e dhimbëshme, t’ia hapë përsëri, pa frikë, dyert Krishtit, për të mirën shpirtërore e materiale të popullit të shumvuajtur”.Përfundimi logjik në të cilin arrin Atë Gardin-i pasi rrëfen dhjetë vjetët e burgimit, tingëllon si ftesë për reflektim, për të mos harruar se “Zoti nuk e turbullon kurrë gëzimin e bijve të vet, pa pasur si qëllim t’u përgatisë një gëzim tjetër, edhe më të madh!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.