2008-08-01 17:07:13

Nga poezitë e Dom Ndre Mjedës.


(01.08.2008 RV)Vaji i Bylbylit
Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

 
Pushoi murlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.

 
Gjith fushët e malet
Blerim i mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.

 
Ndër pyje e orgaja,
N'ma t'mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith'kend.

 
E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.

 
A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.

 
Kerkush ma hovin
Atje s'ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s'ta qet.

 
Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t'rreshket
Shkon fluturim.

 
Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith'prendverën
Njajo buk t'del.

 
E kur t'zitë edi
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.

 
Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si'i nieri
Qi nuk ka fis

 
E kur t'vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

 
Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.

 
A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

 
Ndër drandofille,
Ndër zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

 
Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?
 
Lirija
          - I -
O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni:
a shndritë rreze lirie n'ato majë;
mbi bjeshkë t'thepisuna e n'ograjë,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokush, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj,
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni!
Lirim, lirim, bërtet gjithkah Malcija;
A ka lirim ky dhé që na shklet kamba,
a veç t'mjerin e mblon anembanë robnija?
Flutro, shqype, flutro kah çilet lama,
siellju maleve për rreth që ka Shqypnija,
e vështroje ku i del lirimit ama.
.................................

 
          - VI -
Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqyptarija:
Lodhun prej hekrash që mizori i njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënija.
E kqyrë: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; mshehtas shetiti
kësollë për kësollë rreth buneve e soditi
frymë të re tue shprazun për gjithkahna, hija
e Skanderbegut. Qe ndër djepa rrisin
nanat e Hotit djelmëninë ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji i u qisin.
E nalt, ndër maje, bukuri mbretnore,
hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
me thoj t’harkuem shqypeja arbënore!

 
Gjuha shqipe
Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon*;)
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.
Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................
Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.
Geg' e tosk', malsi, jallia**)
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.
Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.***)
Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.
E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.







All the contents on this site are copyrighted ©.