Myftiu i Madh i Sirisë e fton Papën të vizitojë vendin e tij me rastin e vitit kushtuar
Shën Palit.
(01.08.2008 RV)Këtë vit Damasku është kryeqytet i kulturës arabe e, në të njëjtën
kohë Siria, me 20 milionë banorë, 90 % e të cilëve myslimanë e 10 % të krishterë,
nis kremtimet e Vitit kushtuar Shën Palit, përuruar nga Benedikti XVI më 28 qershorin
e kaluar në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. Një ide themelore – nënvizon
nunci në Siri, kryeipeshkvi Giovani Batista Morandini, për të forcuar ekumenizmin
në një vend që është djep kulturash e fesh. Për Palin, i cili nga persekutues i egër
i të krishterëve të parë, u bë dëshmitar i Krishtit jashtë Tokës së Shenjtë, deri
në Romë – nuk flasin vetëm katolikët, rreth 1% të popullsisë, por të gjitha konfesionet
e krishtera, të pranishme në Siri: ortodoksët, melkitët, armenët e edhe bashkësia
myslimane. Këto ditë Damasku, që zjen nga muzika e veprimtari të tjera tradicionale,
konfirmon se është qytet që di e do të dialogojë, duke dëshmuar kështu se burrat e
gratë e feve të ndryshme mund e duhet të bashkëjetojnë në paqe. Bashkëjetesa paqësore,
krejtësisht e mundshme, pavarësisht nga erërat e krizës, që vijojnë të kërcënojnë
Lindjen e Mesme, lind nga një histori e pasur fetare, e përbashkët në shekuj. Duke
kujtuar këtë traditë të lashtë, Myftiu i Madh i Sirisë, gjatë takimit me një grup
gazetarësh italianë, shtegtarë në gjurmët e Shën Palit në Damask, i përsëriti Benediktit
XVI ftesën për të vizituar vendin. Një ftesë e tillë i është bërë Papës edhe nga
kombe të tjera të Lindjes së Mesme, ku ka jetuar ose ka kaluar Shën Pali gjatë shtegtimeve
të tij për përhapjen e krishterimit deri në skajet më të largëta të botës, që njihej
asokohe. Myftiu i Madh i Sirisë, Ahmad Hasun, shpreh dëshirën ta takojë Papën
edhe në Romë, para se të përfundojë Viti kushtuar Shën Palit. Siria paraqitet, kështu,
para botës, si një vend ku etnitë e fetë duan të jetojnë në paqe e në dialog. Në
frontin ndërmkombëytar , vendi impenjohet, falë ndërmjtësimit turk, të bëjë pae me
izralin. Siria po provon të ndërmjteësojë për paqen ndërmjte hebrejve e palestinezëve
, por duke kërkuar nga Evropa një impenjim më konkret në zonën e Lindjes së mesme.