2008-08-01 17:05:50

Ati i Shenjtë i fton gjithë të krishterët të luten, të ecin në rrugën e shenjtërisë e të kumtojnë Ungjillin.


(01.08.2008 RV)Benedikti XVI i fton besimtarët të luten që mbarë populli i Zotit t’i përgjigjet thirrjes së përbashkët për të ecur në rrugën e shenjtërisë e të misionit, duke u impenjuar vazhdimisht për formimin shpirtëror e kulturor. Këto fjalë të Papës i gjejmë në ndjetin misionar të apostullimit të uratës për muajin gusht.

Papa e porosit Kishën të lutet, që të rritet në shpirtin e besimtarëve vetëdija se të gjithë të pagëzuarit janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë. Nganjëherë – nënvizon Ati i Shenjtë – mendohet se shenjtëria është një privilegi, që u përket vetëm pak njerëzve të zgjedhur. Në të vërtetë – vijon të pohojë Benedikti XVI – të bëhesh shenjt është detyrë e çdo të krishteri… madje e çdo njeriu. Po ç’do të thotë shenjtëri. Na përgjigjet vetë Benedikti XVI:
“Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi së pari duke u nisur nga ç’nuk duhet të bëjmë: për të qenë shenjtorë, nuk duhet të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, as të kemi karizma që pak e kush i ka. Vjen më pas përgjigja për atë që duhet të bëjmë: duhet t’i shërbejmë Krishtit, ta dëgjojmë e ta ndjekim pa u trembur nga asnjë vështirësi. Shenjtëria kërkon përpjekje të vazhdueshme, por është e mundur për të gjithë sepse, më tepër se vepër e njeriut, është dhuratë e Zotit”. (Homelia e 1 nëntorit 2006).
Sigurisht madhështia e dhuratës – nënvizon Papa – vë në dukje, për kontrast, varfërinë e mjeteve tona. Por siguria që na jep feja e krishterë, larg çdo mburrjeje, qëndron në faktin se Zoti na solli në botë për të qenë shenjtorë, si shenjtorët që kremton çdo ditë Kisha, si figurat e Besëlidhjes së Vjetër: që nga Abeli i drejtë, tek Abrahami “patriarku besnik”.
Nga shenjtëria – në mision: edhe në këtë rast, çdo i krishterë është misionar. Por nuk mjafton të pohojmë se gjithë të pagëzuarit kanë detyrën dhe të drejtën ta kumtojnë Ungjillin. Papa shton edhe se duhet t’i kapërcejnë të gjitha format e dyshimta të respektit, të cilat në fund të fundit shndërrohen në heshtje të fesë. Të gjithë njerëzit kanë të drejtë ta njohin Krishtin, Shëlbuesin e njerëzimit:
“Kumtimi i Ungjillit mbetet shërbimi i parë që Kisha duhet t’i bëjë njerëzimit, për t’i propozuar shëlbimin e Krishtit njeriut të kohës sonë, të poshtëruar e të shtypur në shumë forma e për t’i orientuar në drejtimin e krishterë shndërrimet kulturore, shoqërore dhe etike, që vijojnë në botë”. (Engjëlli i Tënzot i 7 tetorit 2007).
Rrugët e shenjtërisë e të misionit janë të pafundme e të frymëzuara nga Shpirti Shenjt. Ipeshkvijtë e mbarë botës e kanë për detyrë t’i pranojnë me shumë dashuri e pa gjykime të cekta e kufizuese, lëvizjet shumëformshe kishtare dhe bashkësitë e reja, që e gjallërojë veprimtarinë kishtare. Ndërsa lëvizjet e bashkësitë reja, nga ana e tyre duhet t’i nënshtrohen autoritetit kishtar, sepse kështu del në pah sa e vërtetë është karizma e tyre dhe sa e fortë, lidhja me Kishën:
“Kush është i thirrur në shërbimin e gjykimit e të drejtimit, nuk duhet të pretendojë të sundojë mbi karizmat, përkundrazi, duhet të ruhet fort nga rreziku i shuarjes së tyre e nga tundimi për të rrafshuar atë, që Shpirti Shenjt e do shumëformëshe, për të bashkëpunuar në ndërtimin e në zgjërimin e Korpit të vetëm të Krishtit, të cilin vetë Shpirti Shenjt e bën të qëndrueshëm në unitet” (Fjalim kushtuar Lëvizjve kishtare, 17 maj 2008).
Në fund Papa fton për lutje, që të krishterët, larg çdo forme të mbylljes në vetvete e të pesimizmit, të impenjohen vazhdimisht për formimin e tyre shpirtëror e kulturor, për të marrë pjesë kështu, në misionin e vetëm të Kishës, që është ndërtimi i Mbretërisë së Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.