2008-07-31 18:09:50

Takim i rëndësishëm i Bartolomeut I me Aleksein II për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Kostandinopojës e Moskës. I pranishëm edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Anastasi.


(31.07.2008 RV)Hapa përpara në rrugën për bashkimin e ortodoksisë. Bartolomeu I e Aleksei II, gjatë bisedimeve në Kiev të Ukrainës, premtojnë se Kostandinopoja e Moska do t’i përmirësojnë marrëdhëniet dhe do t’i kapërcejnë përçarjet ndërmjet ortodoksëve të Ukrainës.
“Vendosëm të punojmë së bashku, për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave ortodokse, asaj të Rusisë e asaj të Kostandinopojës, sepse të dyja palët përgjigjen njëlloj për unitein e ortodoksisë”. Kështu u shpreh Bartolomeu I, Patrik ekumenik i Kostandinopojës, pas takimit me Patrikun e Moskës, Aleksein II. Bisedimi, me dyer të mbyllura, u zhvillua të dielën e kaluar në Kiev, në selinë e metropolitit Vladimir, pas përfundimit të kremtimeve për 1020 vjetorin e krishterimit në Ukrainë.
Në se festimet u paraprinë nga shumë zhgënjime e keqkuptime ndërmjet Moskës e Kostandinopojës, përfundimi i ngjarjes i kënaqi të dyja palët. Bartolomeu nënvizoi se takime të tilla janë shumë të nevojshme, sepse kontribuojnë për thellimin e dialogut e për zgjidhjen e problemeve të mbetura pezull ndërmjet kishave ortodokse motra. Fjala është për përçarjet ekzistuese, në rritje, ndërmjet ortodoksëve ukrainas. Në takimin e Kievit - pohoi Aleksei II – u thelluam në diskutimin e mosmarrëveshjeve dhe jemi një mendjeje se delegacionet e bashkësive tona duhet të gjejnë rrugën e përbashkët”.
Atmosfera pozitive e bisedimeve u vulos me një liturgji ekumenike, kryesuar nga Bartolomeu I, në bashkëkremtim me Aleksein II; kryepeshkopin e Athinës, Hieronimos; kryepeshkopin e Tiranës, Anastasios; metropolitin e Kievit, Vladimir dhe përfaqësuesit e Kishave ortodokse vendase. Gjatë predikimit, Patriku i Kostandinopojës vuri theksin mbi bashkimin e Kishës dhe rreziqet e përçarjes, që e fyejnë Zotin dhe i bëjnë të pavlefshme dhuratat e Shpirtit Shenjt për ata që i shkaktojnë ose që mbajnë qëndrim indiferent ndaj këtyre përçarjeve.
Ndërsa Aleksei II, në përshëndetjen e tij, deklaroi se bashkimi i ortodoksisë ruse nuk mund të mos e pranojë krijimin e shteteve sovrane, të krijuara pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, duke theksuar se Moska e respekton sovranitetin e tyre dhe interesohet për mirëqenien e popujve të këtyre vendeve.
Në fund të kremtimeve - sipas AziaNjuz – Aleksei II dha njoftimin e rëndësishëm se do të marrë pjesë në sinodin mbarë-ortodoks, që do të mblidhet në Stamboll në tetorin e ardhshëm, pas një mungese prej 8 vjetësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.