Marrëdhëniet ndërmjet kishave dhe polemikat në gjirin e anglikanizmit, në fjalimin
e mbajtur nga kardinali Kasper, në Lambet.
(31.07.2008 RV)Sot kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për
nxitjen e bashkimit të të krishterëve, foli në Kantërburi, ku punimet e Konferencës
së Lambetit po i afrohen fundit. Kujtojmë se një konferencë e tillë, në të cilën marrin
pjesë ipeshkvijtë anglikanë të mbarë botës, mblidhet çdo dhjetë vjet e se sivjet çështjet
në diskutim: shugurimi meshtarak e ipeshkvnor i grave e i homoskesualëve dhe martesa
e çifteve homoseksuale, kanë krijuar mosmarrëveshje si në planin teologjik, ashtu
edhe në atë baritor. Kardinali Kasper, në fjalimin e tij, kujtoi kryesisht
marrëdhëniet ndërmjet anglikanëve e katolikëve gjatë viteve të fundit, mosmarrëveshjet
kryesore brenda Bashkimit anglikan dhe detyrën për t’i qëndruar besnikë traditës apostolike.
“Përçarjet ndërmjet nesh – pohoi Hirësia e Tij – kanë krijuar pengesa serioze për
dëshminë tonë e për misionin tonë. Gjithsesi – vijoi kardinali Kasper - bashkimi i
plotë nuk është qëllim në vetvete, por shenjë dhe mjet i kërkimit të unitetit me Hyjin
e paqes në botë. Nuk foli si gjykatës, kardinali Kasper, por si mik, si
bashkëbisedues ekumenik, që trishtohet thellë për shkak të problemeve, që kanë lindur
në gjirin e Bashkimit anglikan. Prandaj edhe reflektoi mbi dy çështjet që krijojnë
tensione e përçarje ndërmjte anglikanëve: mbi shugurimin e grave dhe seksualitetin,
duke kujtuar disa fragmente të Dokumentit të vitit 1994, titulluar ‘Jeta në Krishtin’,
të Komisionit ndërkombëtar anglikan e katoliko-romak (ARCIC). Në këtë dokument, anglikanët
dhe katolikët e shikojnë veprimtarinë homoseksuale si “të parregullt”. Në dritën
tensioneve të viteve të fundit mbi homoseksualitetin, një deklaratë e qartë nga ana
e Bashkimit anglikan – shpjegoi kardinali Kasper - do të na jepte më shumë mundësi
për një dëshmi të përbashkët mbi seksualitein njerëzor e mbi martesën. Duke
u ndaluar tek problemi i shugurimit të grave, Hirësia e Tij kujtoi Letrën apostolike
“Ordinatio sacerdotalis’ të Gjon Palit II, në të cilën theksohet se “shugurimi meshtarak
në Kishën katolike u është besuar vetëm burrave”, sipas një tradite, që lidhet me
vetë vullnetin e Krishtit. Prandaj – sqaroi kardinali – nuk e shikon të arsyeshme
t’i hapë rrugën një tradite të re, duke hequr dorë nga ajo e Kishës të të gjitha
kohëve. Në përfundim kardinali Kasper shpreh besimin se, me ndihmën e Zotit,
do të gjindet një rrugëdalje nga këto vështirësi, gjë që do t’i jepte hov të ri edhe
shtegtimit të përbashkët drejt unitetit, të cilin e dëshiron vetë Jezu Krishti. “Selia
e Shenjtë e ndjek me vëmendje të veçantë kërkesën për ‘unitet korporativ’ me Kishën
katolike, paraqitur nga Bashkimi anglikan tradicional”. Kjo nënvizohet, në një letër
drejtuar nga kardinali Uiljam Levada, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë,
primatit të këtij Bashkimi, kryeipeshkvit Xhon Hepuorth. Letra, që mban datën 5 korrik,
sqaron se në këtë periudhë gjendja e Bashkimit anglikan është bërë shumë e ndërlikuar,
prandaj Kongregata do t’i japë përgjigje propozimit, sapo të jetë në gjendje për ta
bërë këtë”.