2008-07-31 18:26:34

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Johan Sebastian Bah, që e pa muzikën si dhuratë të Zotit".


(31.07.2008 RV)RealAudioMP3 “E të mendosh se ka edhe nga ata që e akuzojnë tim shoq si njeri që nuk është besimtar i mirë!”.
Ana Magdalena Bah vë buzën në gaz, e mbështeur në një cep të shkritores, ku punon i shoqi. Në mes të partiturave, shikon Bibla të ndryshme, të përhapura andej-këndej, tepër të përdorura, të lexuara, të stërlexuara e të nënvizuara, me fletët e përthyera, paksa të ndotura, nga shfletimi i ngutshëm. Aty shikon edhe një copë letër, mbi të cilën Johan Sebastian Bah ka shkruar moton e tij: “Soli Deo Gloria”, tri fjalë latine, që në shqip duan të thonë “Vetëm për lumninë e Zotit”. Sepse ai punonte pikërisht vetëm për Lumni të Hyjit!
Sot Biblat janë të hapura në faqen që rrëfen historinë e Simeonit, hebreut plak, që pret me padurim ardhjen e Shëlbuesit e nuk do të vdesë, para se ta ketë parë. Pastaj Simeoni, një ditë prej ditësh, ka fatin ta takojë Jezusin e posalindur. E merr në krahë i lumtur, me bindjen se tani mund të vdesë, mbasi e pa Shpërblyesin.
Zonja Bah e di mirë se pas nja dy-tri ditësh do të dëgjojë një këngë të re, një kantatë, me këtë temë. Kështu punon i shoqi. Mediton një fragment të Biblës e pastaj e bën muzikë.
Disa e marrin nëpër gojë e thonë se Bahu nuk është i krishterë i vërtetë, sepse muzika e tij kishtare ngjet shumë me pjesët e muzikës së tij profane. Zonja Bah ngre supet. Në se këta njerëz do t’i njihnin mirë veprat profane të të shoqit, në se do t’i dëgjonin me zemër e jo thjeshtë me veshë, do ta kishin mbyllur një herë e mirë gojën. Edhe kur Bahu shkruan studime për violonçel (studimi është një pjesë e vështirë për t’u luajtur, që shërben për ushtrimin e muzikantëve) zëri i ulët i instrumentit tingëllon si lutje.Johan Sebastian Bahu, lindur në vitin 1685 e vdekur në vitin 1750, njihet si një nga muzikantët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Nganjëherë krahasohet me arkitektin, sepse muzika e tij ka saktësi të përsosur. Bah ishte i zoti të kompozonte muzikë për të gjitha instrumentet, e të gjitha partiturat e tij, shkruar për organo, pianofortë, violinë, orkestër ose për zë, kanë përherë një element të përbashkët: saktësia me të cilën çdo notë mendohet për të qenë në harmoni të plotë me të tjerat, të lë pa mend. Muzika e Bahut i ngjet një ndërtese, ku çdo tullë vendoset në mënyrë të përkryer. Ose, më mirë të themi, një kishe, duke pasur parasysh se Bahu punonte “vetëm për lumni të Zotit”. Kështu, në jetën e tij të gjatë, Johan Sebastian Bah ndërtoi, me tinguj, një mori kishash… Kisha muzikore… të cilat nganjëherë i ngjasin katedraleve madhështore.







All the contents on this site are copyrighted ©.