Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Pjetër Krizologun
(30.07.2008 RV)“O njeri, pse ke
një mendim kaq të ultë për vetveten, në sa ke qenë aq i çmueshëm për Zotin? Krijuesi
yt, si t’i dhuroi bukuritë e kësaj toke, gjeti akoma diçka tjetër që ta shtonte për
të të dashur: “stampoi në ty shembëlltyrën e vet”. Do të mjaftonin këto fjalë, për
të kuptuar shpirtin kundrues të këtij romanjoli, lindur rreth vitit 380 në Imola,
që asokohe thirrej Forum Cornelii, dhe edukuar që foshnjë në fenë më të thellë kristiane.
Ipeshkvi e dijetari i Kishës, gjatë punës së tij baritore, u shqua për veprimtari
të gjithanshme: gjallëroi ungjillëzimin, luftoi kundër herezisë, katekizoi në mënyrë
sistematike, ndërtoi Kisha, si atë të Shën Gjonit Ungjilltar, të Shën Apolinarit e
të Shën Gjon Pagëzuesit, predikoi me fjalë të zjarrta Ungjillin e Krishtit. Prej këndej
iu dha atributi “Krizòlogu” që don me thënë “njeriu fjalartë”. Krizologu vdiq
më 30 korrik rreth vitit 451, duke lënë një trashigimi jashtëzakonisht të pasur: Sermonet
apo Predket e tij të famshme e një Kishë në lulëzim, në paqe përbrënda e në bashkim
me Romën e me kishat e tjera motra.