2008-07-30 16:55:40

Papa besimtarëve që morën pjesë në kremtimin e Shën Martës: shërbejini Krishtit duke ndihmuar vëllezërit.


(30.07.2008 RV)RealAudioMP3 Shërbejini Jezusit, duke ndihmuar bujarisht vëllezërit: është ftesa e Benediktit XVI drejtuar – përmes një telegrami, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit - të gjithë atyre që mbrëmë thanë së bashku Rruzaren Shenjte në Kopshtet e Vatikanit, me rastin e përkujtimit liturgjik të Shën Martës. Ritin, organizuar nën kujdesin e Shoqatës së Shenjtorëve Pjetër e Pal dhe xhandarmërisë– e kryesoi kardinali Angjelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Vatikanin, i cili i nxiti besimtarët të besojnë në fuqinë e lutjes.
Nismën për të thënë Rruzaren së bashku në Kopshtet e Vatikanit në festën e Shën Martës, e mori për herë të parë, më 1995, imzot Rafaelo Lavanja, i cili i ftoi pjesëmarrësit, shumica njerëz të Kishës, të reflektojnë për mënyrat e ndryshme me të cilat dy motrat, Maria e Marta, i shërbejnë Jezusit: njëra me veprimtari praktike; tjetra, me kundrim. Prandaj, me besimtarët në uratë, bashkohen çdo vit, përmes radios, edhe motrat e klauzurës të manastirit ‘Nëna e Kishës’, ngritur në Vatikan me dëshirën e Gjon Palit II. Motrat benediktine i prinë dhjetshes së fundit të Rruzares dhe i besuan abateshës së tyre, Nënë Maria Sofia Çiketit, këtë mesazh:
“Nga heshtja jonë, nga vetmia jonë e nga shkëputja jonë prej botës, u drejtojmë të gjithëve e secilit, një fjalë feje, shprese e dashurie të krishterë dhe i lutemi Virgjërës Mari, që është Virgjëra e heshtimit, e dëgjimit dhe e shërbimit, të na ndihmojë t’i ngjasim gjithnjë më shumë birit të saj, Jezusit; e kështu edhe ne, “martat” e “maritë” e kohëve tona, të bëhemi mësuese të dashurisë, të paqes e të bashkimit, atje ku na çon vetë Zoti, për t’u shërbyer vëllezërve e motrave tona. Mund të frymëzojmë, kështu, edhe botën, që ka kaq shumë etje për paqe e unitet”.
Në përfundim të Rruzares, kardinali Angjelo Komastri, foli kryesisht për mënyrën sesi duhet të lutemi:
“Ne shpesh nuk jemi të bindur për vlerën që ka lutja e prandaj e lëmë pas dore ose nuk kujdesemi ta jetojmë me gjithë shpirt. Duhet të besojmë se duke u lutur, mund t’i hapim shumë njerëzve rrugën drejt Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.