2008-07-30 17:00:39

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Alfons de' Liguori, që i mësoi njerëzit të dëgjojnë zërin e ndërgjegjes".


(30.07.2008 RV)RealAudioMP3 “Kam shumë frikë nga Zoti. Ai s’të fal, nuk të ndihmon të shpëtosh. Të flak në fund të ferrit, me shumicën e njerëzve”.
Zotëria plak, Angjelo, nuk shpreson shumë në të ardhmen, as në tokësoren e as në qielloren. Ka kërkuar që një prift, Alfons de' Liguori, në kalim e sipër, t’i vijë sa më shpejt në shtëpi. Dëshiron të rrëfehet, t’i tregojë të gjitha mëkatet, të gjitha gabimet, për të cilat është penduar thellësisht. Por në këtë kohë, e jemi në vitin 1750, shumë meshtarë janë tepër kërkues. Herën e fundit, kur zoti Angjelo u gjunjëzua para meshtarit në rrëfyestore, ai nuk ia zgjidhi mëkatet. E plakut iu desh të kthehej në shtëpi i dëshpëruar, pa hirin e madh të faljes.
“Zoti është tepër i ndërlikuar” – psherëtin zotëria i moshuar, duke folur me priftin. “Për t’i pëlqyer, duhet të jesh i përsosur, si njerëzit e mësuar, që i njohin një për një të gjitha ligjet e Tij. Edhe pse përpiqem, sa mundem, është e kotë të shpresoj!”.
Alfons de' Liguori tund kokën. Është meshtar shumë i mirë, njeri i mësuar, madje njihet edhe si piktor e muzikant, përveçse për një farë kohe ka ushtruar edhe profesionin e avokatit. I lindur në një nga familjet më fisnike të Napolit, mori një edukatë të rafinuar. Gjithsesi, çka i pëlqen më shumë, është të ndihmojë njerëzit e pashkollë për të zbuluar fytyrën e Zotit.
“Ata priftërinj që të kanë folur kështu, gabohen! Zoti na do. Ai është gati të na i falë fajet e mëkatet. Mjafton të pendohemi me gjithë zemër. E, për të na ndihmuar të ecim në rrugën e së mirës, na dha të gjithëve ndërgjegjen”.
“Ç’do me thënë ‘ndërgjegje’? Ja edhe një fjalë tjetër e panjohur, që e dinë vetëm njerëzit e mësuar”.
“Në se ti shkon e vjedh para, a nuk e ndjen se një zë brenda vetes të thotë ‘Mos vidh!?”.
“Sigurisht e ndjej!”.
“Ky, pra, është zëri i ndërgjegjes: të prin drejt së mirës më shumë se të gjithë librat që janë shkruar në këtë botë”.
“Problemi është se shpesh herë nuk më flet fare: kështu nuk e di ç’është e mirë e ç’është e keqe”.
“Në se bën ndonjë gjë të keqe, pa e ditur, Zoti nuk zemrohet me ty. Ajo që ka rëndësi është të kuptosh kur bën mirë ose keq me dashje, me vullnet të lirë. Po ti mund ta ndihmosh ndërgjegjen tënde të të flasë sa më shpesh”.
“E në ç’mënyrë?”.
“Duke ua vënë mendjen meshtarëve. Kur shkon në Meshë ose kur prifti vjen në fshatin tënd për të dhënë mësime katekizmi, hapi mirë veshët. Detyra jonë është t’ju mësojmë, t’ju hapim sytë, për ta dalluar të mirën nga e keqja edhe në situatat më të ndërlikuara. Angjelo i dashur. Ndërgjegjja edukohet!”.Gjatë gjithë jetës së tij, Alfonsi vijoi të përsëriste se Zoti është i mirë e jo i pamëshirshëm, siç mendonin disa njerëz të kohës së tij. Shumë shpejt edhe Kisha e pranoi se ai kishte të drejtë e i pëhapi idetë e tij. Falë këtyre ideve, ripohohet një e vërtetë tepër e rëndësishme: të gjithë njerëzit mund të shkojnë në Parajsë. Mjaft që të duan!







All the contents on this site are copyrighted ©.