2008-07-29 17:28:51

Në Turqi pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Partinë AKP. Dëshmia e imzot Luigji Padovezes, vikar apostolik në Anatoli.


(29.07.2008 RV)RealAudioMP3 Atmosferë pritjeje në Turqi, ku sot Gjykata Kushtetuese u mblodh për të dytën herë. Gjykatësit duhet të marrin vendim për shpërndarjen e AKP-së, partisë për Drejtësi e Zhvillim të kryeministrit Erdoan e të presidentit Gul. Vlerësimi mbi legjitimitetin kushtetues të AKP-së, pason atentatet gjakatare të së dielës së kaluar, që i kushtuan jetën 17 vetëve, autorët e të cilëve nuk njihen akoma. Hetimet vijojnë në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe atë të PKK-së, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Sot paradite avionët e Ankarasë bombarduan pozicionet e kryengritësve kurdë në veri të Irakut, pa shkaktuar viktima. Për situatën në Turqi flet, në mikrofonin tonë, vikari apostolik i Anatolisë dhe Kryetar i Konferencës ipeshkvnore turke, imzot Lugji Padoveze:

Përgjigje: - Përshtypja që kam, duke parë ambientin e jashtëm, është se njerëzit janë të qetë. Natyrisht vëmendja është përqendruar tek vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese. Problemi që po jetojmë, është ai i laicitetit i cili, në një farë mënyre, duket se vijon t’i kundërvihet hapjes së rrugës demokratike e kështu i vë vetes pas shumë pikëpyetje.

 
Pyetje: - Imzot Padoveze, mendojmë se atentatet e së dielës së kaluar duhet ta kenë tronditur opinionin publik?

 
Përgjigje: - Natyrisht. Siç është thënë, është atentati më i rëndë i viteve të fundit. Mbetet për t’u kuptuar nga buron. Qëllimi është i qartë: të krijojë tension në sa vendi po jeton një çast posaçërisht delikat. Duhet sqaruar mirë prej nga vijnë këto atentate. Ideja se vijnë nga PKK, siç është lënë të kuptohet, nuk duket se është e vetmja, sepse ka shumë pikëpyetje edhe mbi këtë aspekt.

 
Pyetje: - Ju keni thënë: “Nuk ka alternativa për demokracinë”. A shihni ndonjë forcë, që mund t’i kundërvihet demokracisë?

 
Përgjigje: - Problemi i Turqisë është të shpëtojë një farë ideje, që ka të bëjë me laicitetin, lidhur ngushtë me kthesën që po bën qeveria aktuale në këtë drejtim. Por unë vë gjithnjë shumë pikëpyetje mbi këtë tip demokracie. Sidoqoftë është një rrugë pa krye, nga e cila Turqia duhet të dalë sa më shpejt. Bëhet fjalë për të zgjedhur përfundimisht rrugën, në të cilën duhet ecur. Nuk mund të qëndrojë në këmbë ideja e laicitetit të mbrojtur nga ushtria e njëkohësisht të bëhen përmirësime demokratike. Besoj se Turqia duhet ta zgjidhë këtë nyjë.

 
Pyetje: - Ç’ gjurmë la në bashkësinë e krishterë turke, vizita e Papës, pasuar nga vrasja e Andrea Santorit?

 
Përgjigje: - Na la të kuptojmë se të jesh i krishterë, nganjëherë do të thotë edhe të rrezikosh jetën. Ky është realiteti, në të cilin jetojmë. Unë personalisht nuk kam frikë, por ama e di mirë se në disa ambiente, prania e krishterë besdis shumkënd. Nuk dua të përgjithësoj, por mbi bazën e përvojës personale e të njoftimeve që më japin bashkëpunëtorët e mi, mund të them se ka akoma shumë vështirësi, por, e përsëris, këto vështirësi lidhen kryesisht me disa mjedise, ku jemi të pranishëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.