Asgjë e re në Konferencën e Lambetit, mbledhur për të kapërcyer përçarjet në gjirin
e Bashkimit anglikan, lidhur me shugurimin e grave e të homoseksualëve.
(29.07.2008 RV)Java e fundit e
punimeve për ipeshkvijtë anglikanë të mbarë botës, mbledhur në qytetin e Kanterburit,
në Angli, për Konferencën e Lambetit, që organizohet çdo dhjetë vjet. Të shumta, problemet
e vështira, që duheshin zgjidhur, për të shmangur rrezikun e skizmave apo përçarjeve
të reja në Bashkimin anglikan, sepse jo të gjithë janë të një mendjeje përsa i përket
shugurimit meshtarak e ipeshkvnor të grave e të homoskesualëve dhe martesës së çifteve
homoseksuale, çështje që krijojnë mosmarrëveshje si në planin teologjik, ashtu edhe
në atë baritor. Për t’u njohur nga afër me rezultatet e Konferencës, në përfundim
e sipër, ftuam në mikrofonin tonë Andrea Galin, i dërguar i gazetës italiane ‘Avvenire’
në Lambet:
Pyetje: - Në ç’pikë ka arritur diskutimi ndërmjet
palëve kundërshtare?
Përgjigje: - Them
se diskutimi është bërë gjithnjë më i ashpër, në kuptimin se kundërvëniet e fillimit,
janë thelluar më tej gjatë punimeve të konferencës. Është folur shumë, edhe më shumë
do të flitet këto ditë, sidomos për temën e homoseksualitetit, më e vështira, që ngjall
më shumë debate edhe se ajo e shugurimit meshtarak e ipeshkvnor të grave, ndoshta
edhe pse këtu, në Lambet, janë të pranishme shumë gra prelate e meshtare. Kjo tregon
se problemi nuk është as i ri e as i kufizuar; është diçka konkrete në disa grupe
të Bashkimit anglikan; e përsa i përket temës së homoseksualitetit, konsiderohet si
maja e ajzbergut, sepse pjesa që kundërshton qëndrimin aktual të kryeipeshkvit të
Kantërburit, flet për korrupsion teologjik e baritor të nivelit më të lartë, që shkon
përtej temës së homoseksualitetit.
Pyetje: -
Atëherë ndërmjetësimi nga ana e Primatit të Bashkimit anglikan, kryeipeshkvit
të Kantërburit, Rouan Uiljams, nuk i paska dhënë rezultatet e duhura?
Përgjigje:
- Deri tani duket se jo. Rouan Uiljams bëri thirrje të forta për unitet
e për të mirën e Bashkimit anglikan, por thirrjet e tij nuk kënaqen asnjërën nga palët
kundërshtare. Madje, propozimi i tij për një lloj moratoriumi, lidhur me shugurimin
e ipeshkvijve homoseksualë, krijoi tensione të reja.
Pyetje:
- Kjo të krijon përshtypjen se jemi në prag të një skizme të re…
Përgjigje:
- Edhe fjala skizmë është e diskutueshme, në kuptimin e lëvizjes që u krijua
në nivel ndërkombëtar – lëvizje që në këtë çast i kundërvihet qëndrimit dhe rolit
të Rouan Uiljams e që mori emrin GAFCON (Global Anglican Future Conference), prej
emrit të Konferencës organizuar në Jeruzalem nga fundi i qershorit. Përfshin kryesisht
ipeshkvij të vendeve afrikane. Kujtojmë se nuk është një fraksion i vogël, sepse përbën
dy të tretat e Bashkimit, rreth 40 milionë ndjekës, ndërmjet 55 milionë besimtarëve
praktikantë. Është një situatë tepër e rëndë e delikate, në të cilën palët akuzojnë
njëra- tjetrën për largimn nga tradita e teologjisë anglikane.